13:48 / E Diele, 08 Tetor 2017 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për personin që shiste gazin QKUK-së pa licencë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, pronarit të kompanisë “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku, Naser Guri. Ky i fundit është i dyshuar për prodhimin pa licencë të gazit oksidul (N20), si pasojë e të cilit dyshohet që tre persona humbën jetën në QKUK muajin e kaluar.

Më datë 7 shtator në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tre pacientë në rrethana ende të dyshimta derisa ishin futur në operacion, kishin ndërruar jetë. Për këtë punë organet e hetuesisë kanë nisur hetime në disa pista.

Në bazë të hetimeve të para si shkaktar i vdekjes dyshohet të jetë gazi oksidul (N20), i prodhuar pa licencë në Kosovë, me të cilin furnizohej QKUK’ja nga kompania ‘Bubeari Komerc’, nga Kaçaniku.

Për këtë çështje tashmë një person është ndaluar si i dyshuar për prodhimin e gazit, ndërkohë që hetimet e prokurorisë janë zgjedhur edhe në pista të tjera.
Naser Gurit, pronar i kompanisë ‘Bubeari”,të premten i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Këtë e ka konfirmuar për Express, e Prokurori i rastit, Valdet Gashi.

“Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata i ka caktuar një muaj paraburgim pronarit të kompanisë ‘Bubeari Comerce”, ka thënë të dielën për Express, prokurori Gashi.
Ai ka treguar se hetimet lidhur me këtë çështje janë duke vazhduar.
”Jemi duke punuar shumë lidhur me këtë rast”, ka shtuar ai.

E ndërkohë, Ymer Beka kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të dielën për Express, ka deklaruar se ende nuk është caktuar vendi se ku do të dërgohen për analiza bombolat e gazit oskdul (N20), të sekuestruara në depon e kompanisë tashmë të dyshimtë ‘Bubeari”. Thotë se për bërjen e analizave të gazit duhet gjetur një vend i sigurt.

“…sa i përket analizave të gazit, ende nuk kemi gjetur qendër se ku t’i dërgojmë ato. Duhet ta gjejmë një qendër ku është më e sigurt”, ka thënë Beka për Express.
Ndërkohë në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, më datë 15 shtator është bërë analiza e obduksionit të tre trupave të personave të cilët kanë ndërruar jetë në QKUK.

Mjekësia Ligjore do të duhet që ta përpilojë një raport të cilin do t’ia dorëzojë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, rreth gjetjeve që janë bërë në trupat e tre pacientëve të cilët ndërruan jetë javë më parë në QKUK. Raporti pritet që brenda javës që vjen t’i dorëzohet prokurorisë së shtetit.

E do të jetë raporti i obduksionit i këtyre pacientëve, i cili do ti hap rrugë prokurorisë për hetime të mëtutjeshme.

“Po besojmë që në javën që vjen Mjekësia Ligjore do ta ketë gati raportin”, thotë kryeprokurori Beka.

Puna në Klinikat e QKUK’së, ku ndodhën këto tri vdekje të dyshimta u është kthyer normalitetit.Në QKUK dhe të gjitha spitalet regjionale në Kosovë, është hequr nga përdorimi gazi oksidul i prodhuar nga kompani ‘Bubeari’. Tenderin për furnizim me këtë llojë gazi e ka fituar kompania ‘’Medica”, e cila e ka selinë në Prishtinë.