15:48 / E Hënë, 13 Maj 2019 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për të pandehurin që ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes në Podujevë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega Podujevë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhuna në familje nga neni 248 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit S.B i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.B me datë 08.05.2019 në shtëpinë e tij ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes I.A. duke e goditur në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, duke kryer kështu veprën penale e cila i vihet në barrë.

Gjykata ka konstatuar se është përmbushur kriteri nga neni 187 par.1 nën. par.1.1 dhe 1.2  pika 1.2.3 të KPRK-së, si kusht i veçantë për caktimin e masës së paraburgimit në mënyrë që të zhvillohet procedura penale pa pengesë në sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe në parandalimin e përsëritjes së veprës penale.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.