12:13 / E Diele, 24 Tetor 2021 / LB

Një natë përballë shtëpisë ku banoi Bekim Fehmiu

Ylli i filmit e teatrit, Bekim Fehmiu në vitet 1941 – 1950 e kaloi fëmijërinë dhe rininë në Prizren, aty edhe i bëri hapat e parë në aktrim, dhe u nis rrugës për të arritur në majat më të larta të kinematografisë botërore, në Holiëud. Banoi me qira në shtëpinë e Shuaip Spahiut, ministrit në Qeverinë e Lidhjes së Prizrenit.

Autori i librit për Bekimin, Fahri Musliu në Beograd është shoqëruar me shumë shrkimtarë e intelektualë të atjeshëm por i veçon, klasikët e letrave hebraikun Danillo Kishin (nacionalizmi  është strehimi i horrave), me Mirko Kovaçin, të cilin radikalët e Sheshelit ia thyen kokën me shishe në një tubim, më të afërt e më të ngushtë e ka “shumadincin” me prejardhje çifute Filip Davidin.

———

Nga Agim Muhaxheri

Ekskursioni në Prizrenin e bukur, të bekuar nga natyra, bashkë me vëllain tim Naimin e Lucernit, nipat Nazin, Komandantin e Trentë të Freiburgut të Gjermanisë, Hakinë e Gjenevës dhe mikun e tij Dritonin e Gjilanit.

Natën e 22 tetorit e kalojmë në hotelin “Classic”, bri shtëpisë së bardhë ku e kaloi fëmijërinë ylli i filmit e teatrit Bekim Fehmiu (1936 – 2010).

Shtëpia ku banoi me qira familja e këtij aktori të madh gjendet këndej Urës së Naletit, (sot quhet Ura e kaltër apo Ura e dashurisë sepse aty shumë të rinj e të dashuruar e kyçin dashurinë e tyre me dryna të shumtë, që e kanë rënduar tepër këtë urë dhe rrezikojnë rrëzimin e saj), afër Shadërvanit dhe Urës së Gurit.

Që nga fillimi i javës së tretë të qershorit 2010, nën Urën e Naletit dallgët e Lumbardhit bartin hirin e trupit të Bekimit…

Kuvendi i Shqipërisë atëbotë këtij artisti gjigant i bëri nderim me një minut heshtje. Ndërkaq, këta horrat, palaçot e Kosovës, në Kuvend, të kryesuar nga Jakup Krasniqi (“sa njerëz vdesin nuk   tu mbajmë nga një minutë heshtje…”),nuk e luajtën prapanicën t’i bëjnë nderim këtij artisti me të vetmen arsye se “ai ka ba filma për Jugosllavinë, nuk ka luajtur në shqip, se e kishte gruan shkinë…”.

Turpi askë nuk e ka mbytur !

Edhe ylli i teatrit Aleksandër Moisiu nuk e kishte gruan shqiptare, po austriake – vjeneze, por ky është i nderuar në Shqipëri.

Aty afër kësaj ure, te kafeteria “Princi”, takohem me mikun e kolegun tim të vjetër, Fahri Musliun, autorin e shumë librave, edhe të monografisë për Bekim Fehmiun (2015).

Fahriu flet për zigzaget e jetës së Bekimit…

Shtëpia ku banoi me qira Bekimi në vitet 1941 – 1950, ishte e Shuaip Spahiut (pashës), ministrit për Financa në qeverinë e Lidhjes së Prizrenit…

… Aktori i madh Bekim Fehmiu ishte i lidhur emocionalisht me Prizrenin dhe e donte më shumë se çdo qytet në botë të cilën e ka shëtitur cep më cep.

Miku im Fahriu njoftoi se në fillim të muajit nëntor pritet të del nga shtypi botimi i dytë i plotësuar i monografisë “Bekim Fehmiu-Odiseu i Kosovës”, me 740 faqe, i ilustruar me më tepër se 300 fotografi. Këtë libër e ka sponsorizuar biznesmeni prishtinas Milaim Abdullahu, një dashamir i mirë, sponsorizues edhe i shumë librave tjerë me rëndësi historike e kulturore.

Do të vazhdoi së shpejti xhirimi i filmit dokumentar kushtuar Bekim Fehmiut, i ndërprerë në mars të vitit të kaluar shkaku i pandemisë Covid – 19.

Po ashtu, afër selisë së Lidhjes së Prizrenit, së shpejti pritet të hapet “Art – galeria”, si ekspozitë e përhershme me materialet e filmave, librave të Bekimit dhe për Bekimin, gjësendet e tij…nëse zyrtarët e komunës nuk i hanë fjalët, sepse deri më tash në këtë qytet Bekimi po injorohet, por për fat qeveria aktuale, respektivisht Ministria e Kulturës ka vendosur që figura dhe vepra e Bekimit të jetë projekt shtetëror.

Fahri Musliu, 73, një pjesë të madhe të jetës e kaloi në Beograd të Serbisë, 44 vjet. Nga ky qytet ishte korrespondent i të përditshmes “Rilindja”; i “Zërit të Amerikës” , “BBC”, i “Zërit”, RTK-së…

Në Beograd është shoqëruar me shkrimtarin e madh, hebraikun Danillo Kishin (1935 – 1989), i njohur me veprat Një varr për Boris Davidoviçin dhe Enciklopedia e të vdekurve.

… Por mik më të shtrenjtë  e ka bashkëkombësin e Kishit, Filip Davidin…

Ka kujtime të këndshme me gjeniun e letrave serbe, Mirko Kovaçin (Nacionalizmi i bën njerëzit budallenj), i cili më 1991 emigrojë në Kroaci, meqë për shkak të qëndrimeve të tija antinacionaliste e antiluftarake ishte në listën për likuidim. Musliu thotë se Kovaçin e vizitojë në Rovinj të Istrisë në qershor të vitit 2012 dhe kalio qaste të këndshme me biseda përmbajtësore.

Kishi ka lindur në Suboticë, ndërsa ka vdekur në Paris më 1989. Ai nuk ka lënë pasardhës. Gruaja e tij e parë ishte Mirjana Miočinović, profesoreshë e Universitetit të Beogradit, shkrimtare e publiciste… Gruaja e tij e dytë – Paskal. pas luftës punoi në Kosovë, nja 10 vjet, si drejtoreshë e Qendrës së përkthimeve në kuadër të UNMIK e pastaj edhe drejtoreshë e Qendrës Kulturore Franceze në Beograd. Atë në Kosovë e solli shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, Bernard Kouchneri, thotë Musliu.