18:24 / E Enjte, 18 Korrik 2019 / indeksADMonline

Një në 10 vetura në Zvicër lëviz me energji alternative

Në Zvicër është duke vazhduar me të madhe trendi i orientimit drejt automobilave që vihen në lëvizje me lëndë alternative dhe i ikjes nga motorët klasikë me djegie të brendshme, shkruan srf.ch.

Sipas shifrave më të reja të shitjes së veturave për gjysmën e parë të vitit 2019 rezulton se në rrugët e Zvicrës aktualisht çdo i dhjeti automobil lëviz ose me fuqi tërësisht elektrike, ose hibride (elektrik dhe benzinë), apo me gaz natyror ose me hidrogjen.

Në përgjithësi, numri i automjeteve të shitura gjatë këtij gjashtëmujori mbetet stabil në krahasim me periudhën e njëjtë një viti më parë. Siç shkruajnë në një komunikatë për media shoqatat zvicerane për shitje të automjeteve, AGVS dhe ajo Eurotax, janë shitur gjithsej 157.136 vetura.

Krahasuar me gjysmëvjetorin e kaluar janë shitur 68% më shumë automjete të kësaj kategorie (me energji alternative). Kështu, nëse në gjashtëmujorin e vitit të kaluar veturat e shitura që ecin me energji alternative përbënin 6.3% të të gjitha veturave, në këtë gjysmëvjetor kemi 10.6% të tilla.