10:16 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Një pacient i shëruar nga koronavirusi – në gjendje të rëndë, vazhdon trajtimin në Infektiv

Njëri nga dy pacientët e shëruar nga koronavirusi është duke u trajtuar ende në Klinikën Infektive të QKUK-së pasi gjendja e tij është e rëndë.

Aktualisht aty po trajtohen 11 pacientë të infektuar me COVID-19, ndërsa edhe dy pacientë që janë shëruar tashmë nga kjo sëmundje po vazhdojnë trajtimin në këtë klinikë për shkak të sëmundjeve të tjera shoqëruese.

Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Berisha, ka thënë se gjendja e njërit prej pacientëve, i cili është shëruar nga COVID-19 është e rëndë.

“Në Klinikën Infektive janë 11 raste që janë pozitiv me COVID-19. Prej këtyre 11 rasteve, 5 janë me oksigjeno-terapi. 3 raste të tjera janë në pritje të rezultateve. Dy raste të cilat janë negativ, po e vazhdojnë mjekimin. Në mjekimin intensive, janë dy raste, njëra është pozitiv me COVID-19 dhe po trajtohet me oksigjeno-terapi, ndërsa është edhe një rast i cili është shëruar nga COVID-19, por po vazhdon të trajtohet pasi është në gjendje të rëndë për shkak të sëmundjeve tjera”, tha Berisha për Telegrafin.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar mbrëmë 5 raste të reja me koronavirus në vend. 2 raste ishin nga Fushë- Kosova, 1 nga Vushtrria, 1 nga Prizreni dhe 1 tjetër nga Prishtina.