10:46 / E Hënë, 01 Nëntor 2021 / B O

Një pandemi tjetër për ekonomi – Inflacioni

Blerta Haliti Baruti

Për lexuesit e zakonshëm termi ’’inflacion’’ ka kuptimin e rritjes së vazhdueshme të nivelit të përgjithshëm të çmimeve (zhvlerësimi i fuqisë blerëse, kur me një sasi të caktuar parash blihen më pak prodhime apo shërbime se sa përpara zhvlerësimit). Dita ditës po vërehet që termat si “inflacioni i importuar”, së bashku me ndikimet negative janë rikthyer. Arsyet e inflacionit të lartë aktual janë të qarta.

Lista e arsyes është e gjatë dhe ka të bëjë kryesisht me pandeminë COVID-19. Së pari, është norma jashtëzakonisht e ulët e inflacionit të vitit të kaluar, kthimi në normën e mëparshme të tatimeve në ato shtete në të cilat ishte ulur për shkak të koronavirusit, dhe një rritje dramatike e madhe e kërkesës në mbarë botën për të kapur investimet që u anuluan për shkak të pandemisë. Inflacioni në përgjithësi dhe  infalcioni i importuar në veçanti po kaplon shumë vende,  por më shumë i theksuar tani për tani është në USA 5.4 % dhe EU që ka arritë 3.4%.

Megjithatë, pritjet e ekonomistëve janë që inflacioni në 2021 do të zbutet pasi të lehtësohen kufizimet si pasojë e pandemisë, por prapë do të jetë më i lartë se mesatarja e viteve 2016-2019, para pandemisë. Siq po duket, inflacioni më i lartë apo “pandemia ekonomike” do të qëndrojë me ne edhe për një kohë.

Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Financave, ekonomia e Kosovës shënoi rritje të theksuar me 16.28% në terma realë. Kjo rritje u shoqërua me rritje të konsumit dhe investimeve. Po ashtu, eksporti i mallrave vazhdoi trendin e rritjes, kurse eksporti i shërbimeve u rikuperua nga goditja që mori në vitin që lamë pas. Mirëpo fenomenit inflacion nuk mund ti ikim, deshtëm apo s’deshtëm ne, ka fillu të reflektoj edhe në ekonominë tonë mbase në nivel më të ulët por s’do të thotë që s’do ndryshoj.

Në raportin e fundit të publikuar nga Agjensioni i Statistikave të Kosovës thuhet që indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë se sa në vtin paraprak, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2021 me muajin shtator 2020 ishte 4.9%. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit/ushqimit, ku rritje më e ndjeshme e çmimeve  në tre muajt e fundit krahasuar me kohën e njëjtë të vitin 2020 u vërejt në sektorin e ndërtimtarisë, pasi indeksi i kostos së ndërtimit u rrit për 12.1%. Ngjashëm, edhe çmimet e importit u rritën me 7.7% në terma vjetorë. Por kjo rritje nuk ishte vetëm në Kosovë.

Po të shikojmë normën e inflacionit vjetor të vendeve të rajonit, rezulton që të gjitha shtetet kishin ngritje të çmimeve: Shqipëria me 2.4%, Mali i Zi me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3.6% dhe Serbia me 4.3% , që shënoi inflacionin më të lartë në rajon për këtë periudhë. Duke pasë parasysh që Kosova ka bilanc negativ, pra importon më shumë sesa eksporton, atëherë mund të themi termin e lartëshnuar që ne kemi inflacionin e  importuar.

Nëse doni të dini se si funksionon zhvlerësimi i monedhës, shikoni Venezuelën. Atje, paratë nuk vlejnë praktikisht asgjë. Deri  javën e kaluar, 1 euro ishte e barabartë me 4.8 milionë bolivar. Kjo ju jep një ide se çfarë duhet të paguajnë aktualisht venezuelasit për një copë bukë. Sipas përllogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, norma vjetore e inflacionit pritet të jetë 5500%. Henric Bohem ekonomist gjerman, i cili ka bërë nje krahasim të gjendjes aktuale të shtetit të tij me hiperinflacionin e shfrenuar në Venezuelë, thotë që rritja prej 4.1% nga muaji në muaj e çmimeve në Gjermani duket e vogël, por është ende rritja më e lartë në 28 vitet e fundit. Kjo është e mjaftueshme për të bërë tituj dhe për të ngritur pyetje ekzistenciale si: “A janë ende të sigurta paratë e mia?”,  “A mund të përballoj ende jetën time aktuale, të paguaj shtëpinë time?” etj. Pas Gjermanisë shtetet e prekuara nga inflacioni janë Franca dhe Spanja, e pastaj të gjitha shtetet e eurozones.

Një arsye tjetër e rritjes së çmimeve është sasia e madhe e parave që bankat qëndrore kanë derdhur në tregje vitet e fundit, gjë që ka ndihmuar të mbajë në këmbë ekonomitë e sëmura. Në këtë rast preket edhe Kosova me çfarëdo vendimi që Banka Qëndrore Europiane merr pasi që si valutë përdorim Euron. Kështu që mbesin dy alternativa për shtetet e prekura nga inflacioni nëse veq vazhdon rritja e tij. E para, qeveritë mund të përdorin kontrollet e pagave dhe çmimeve për të luftuar inflacionin, por edhe kjo alternative i ka të metat e veta sepse  mund të shkaktojë recesion dhe humbje të vendeve të punës.

E dyta, qeveritë mund të përdorin politikën monetare tkurrëse për të luftuar inflacionin duke ulur ofertën monetare brenda një ekonomie nëpërmjet uljes së çmimeve të obligacioneve dhe rritjes së normave të interesit, që edhe kjo gjë do të jetë shumë më e kushtueshme  për vendet e goditura nga kriza.