17:32 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2024 / S Z

Një person ka mbetur i lënduar në ‘Via Ferrata’ në Pejë

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare ka njoftuar se kanë pranuar thirrje për ndihëm në njërën prej “Via Ferrata-ave” në Pejë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur për RTKlive se tashmë Ekipi i Kërkim Shpëtimit Malor e ka zbritur personin e lënduar në “Via Ferrata” në Pejë.

Gashi ka treguar se i njëjti është dërguar në Emergjencën e Spitalit në Pejë. “Ekipi i Kërkim Shpëtimit Malor e ka zbrit personin e lënduar. I njëjti është dërguar në Emergjencën e Spitalit”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, një person ka mbetur në “Via Ferrata” në Pejë dhe dyshohet se është lënduar.

“Sapo kemi pranuar një thirrje për ndihmë në njërën prej Via Ferrata-ve në Pejë.Shpëtuesit tanë së bashku me zjarrëfikësit e kanë lokalizuar vendaksidentin dhe janë duke e zhvilluar operacionin e Kërkim-Shpëtimit. Për informata më të hollësishme ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës .