13:44 / E Premte, 24 Janar 2020

11 ditë kohë për mandatarin, skepticizëm për formimin e Qeverisë

Edhe njëmbëdhjetë ditë kohë i kanë mbetur mandatarit për kryeministër, Albin Kurtit, që t’ia paraqesë për votim kabinetin e tij qeverisës, Kuvendit të Kosovës.

Por derisa ditët po kalojnë, ka fare pak shpresë për një marrëveshje politike për bashkëqeverisje midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike.

Ultimatumet, ofertat dhe kundërofertat ndërmjet njëra-tjetrës, për analistët politikë janë një dëshmi se dy partitë po mendojmë më shumë në atë se qysh t’ua paraqesin qytetarëve dështimin e jo koalicionin qeverisës.

Profesori universitar, Behlul Beqaj thotë për KosovaPressin, se kjo çështje duhet të marrë një epilog qysh këtë javë.

“Kjo çështje duhet të merr një epilog, nëse koalicioni i ndryshimit dhe koalicioni i shpresës, nuk dëshiron të shndërrohet në një koalicion të zhgënjimit, do të ishte e udhës që të arrihet një marrëveshje. Ajo të ishte në funksion të vullnetit politik të qytetarëve që janë përcaktuar në këto dy parti. A do të bëhet marrëveshja apo jo, unë mendoj se nuk duhet domosdoshmërish të arrihet një marrëveshje e cila nuk siguron prevalencën e ndryshimit. Marrëveshja duhet të arrihet se është shprehur vullneti politik i qytetarëve për ndryshime”, thotë ai.

Analisti politik Faton Abdullahu thotë se barrikadimet e dy partive në qëndrimet e tyre, nënkupton se ato janë duke bërë kalkulime të tjera dhe jo atë të formimit të koalicionit qeverisës.

“Ato vetëm janë barrikaduar në qëndrimet e tyre në refuzimet e propozimeve që kanë bërë. Për shkak të trysnisë kohore që njëherë e ka bërë Vetëvendosja duke e paraqitur kandidatin për kryeministër pa marrëveshje që e ka nxitur rrjedhën e kohës prej 15 ditësh. Të njëjtën në mënyrë tjetër e ka bërë LDK duke sforcuar këtë trysini kohore brenda kësaj jave. Kjo të len të kuptosh se këto parti politike nuk janë shumë të interesuara të bëjnë qeverinë. Por më shumë po bëjnë kalkulime se çfarë do të ndodh pas këtij dështimi”, thotë Abdullahu.

Pesimist për një koalicion të tillë qeverisës u shpreh për KosovaPress edhe analisti tjetër, Rasim Aliaj, i cili thotë se gjasat në rrethanat e tilla për bashkëqeverisje mes VV-LDK- janë të vogla.

“I vetmi opsion i mundshëm është kjo rrjedhja e afatit ligjor që të shihen si një instrument për presion ndaj LVV-së, edhe ndaj LDK-së që të arrihet koalicioni. Por në këto rrethana edhe me këtë gjuhë të komunikimit që e kanë pasur të dy partitë, përshirë edhe e video-mesazhet e VV-së, e deklaratat e LDK-së besoj që gjasat për arritjen e një koalicioni në rrethanat e tilla janë shumë të vogla”, thotë ai.

Menjëherë pas rrjedhës së afatit kushtetues për formimin e Qeverisë, lideri i LDK-së i vendosi një afat për bashkëqeverisje.

Sipas tij, deri në fundin e kësaj jave do të presin Lëvizjen Vetëvendosje t’i përgjigjen pozitivisht ofertës së tyre, ku parashihet marrja e kryeparlamentarit për një vit, pesë ministri dhe zotimi për emërimin e presidentin nga radhët e tyre.