18:43 / E Mërkurë, 10 Korrik 2019 / indeksADMonline

”Njerëzit e mirë ndodhen kudo”, 80 vjeçari italian tregon sesi i riu shqiptar i ktheu besimin dhe shpresën

Është e vështirë të gjesh njerëz të ndershëm në shoqërinë ehipokrizisë, goizmit dhe interesit të ngushtë vetjak, në të cilën jetojmë, por jo e pamundur. Një mësues në pension nga Tarantino,i quajtur  Ranieri Cosimo ka rrëfyer për gazetën italiane “Mezzogiorno” një episod të ndodhur së fundmi, që i ka rikthyer besimin dhe shpresën. 

Në një nga ditët kur 80-vjeçari italian po përshkonte tregun e zakonshëm pranë shtëpisë, i ndodhi diçka e paharrueshme. “Javën e kaluar, sikurse çdo ditë, unë shkova në treg për të blerë. Ndryshe nga zakonisht, megjithatë, gjendja ime ishte ndryshe. Isha i mërzitur dhe i turbulluar sepse përpara së të dilja nga shtëpia mora një telefonatë të pakëndshme nga vëllai im, i cili më tha se gjendej në spital për një problem serioz shëndetësor.

Pavarësisht kësaj, pazari duhej bërë, kësisoj, ndava 150 euro në tre pjesë me nga 50 euro dhe mbërrita në treg. Në duar kisha një 50 euro që sapo e kisha tërhequr nga portofoli për të paguar vasketën plastike që do të blija, por nuk i gjeta më. I pyeta njerëzit rreth meje nëse e kishin gjetur, por askush nuk kishte pikasur gjë. Pa bërë shumë zhurmë, për shkak se nuk është në natyrën time, nxora një kartëmonedhë tjetër nga portofoli im”

Ditët vijuese të 80-vjeçarit nuk do të ishin aspak të lehta. Krahas vëllait i cili i gjendej i shtruar në spital, edhe ai vet u përball me një sërë problemesh shëndetësore dhe u detyrua edhe ai të shtrohej po ashtu. Pas një jave të plotë, i moshuari italian u rikthye në shtëpi në një gjendje më të mirë. E kështu, teksa rutina filloi të zinte vend, ai iu rikthye blerjeve të përditshme. 

Në një nga këto ditë, një djalë i ri shqiptar, i afrohet këtij të fundit dhe i thotë: Këto janë paratë e tua zotëri! ”Ai më vendos 50 euro në dorë dhe më thotë se më ka pritur ditë të tëra duke shikuar drejt Via Lucania e duke pritur që të shfaqesha nga momenti në moment, për të më rikthyer atë që kisha humbur disa ditë më parë. Ky gjest riktheu tek unë besimin dhe shpresën, që për shumë vite ishte venitur”, përfundon ai.