23:24 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

“Njeriu që mungonte” u dha sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës sonte u dha premiera e shfaqjes “Njeriu që mungonte”. Me tekst të Zymber Kelmendit e regji të Isa Qosës kjo shfaqje për më shumë se një orë solli emocion të fuqishëm përmes personazheve në rolet e të cilëve ishin: Teuta Krasniqi, Basri Shala, Agron Shala, Doresa Rexha dhe Gani Rrahmani.

Ngjarja është e vendosur 4 vite pas luftës së fundit në Kosovë, ndërsa trajton fatin e Agronit, ish ushtarit të  UÇK-së për të cilin familja kishte menduar se ishte vrarë në luftë. Ndërsa ai kthehet i gjallë në shtëpi, kthim ky befasues për familjarët, të cilët tashmë kishin përfituar në emër të tij. Këtu lind edhe drama, familjarët (bashkëshortja, djali dhe vajza), por edhe drejtori i shkollës, sugjerojnë Agronin që të mos dal jashtë shtëpisë, pasi që me daljen e tij në publik ata do të futen në telashe. Kështu që Agronit emrin e të cilit bart edhe shkolla që do të ndërtohet në fshat e madje do të ndërtohet edhe busti, nuk i mbetet tjetër rrugë veçse të sakrifikohet edhe në liri. Ai vendos të largohet..

Skenografe e kësaj shfaqje është Shqipe Kamberi, kostumografe Samka Ferri, skulptor Agron Blakçori dhe kompozitor Korab Shaqiri.
Reprizat e para të kësaj shfaqjeje do të jepen më 17 dhe 19 shkurt duke filluar nga ora 20:00./Indeksonline/