16:16 / E Premte, 09 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Njoftimi i UÇK-së: Si u vra Ejup Bajgora, Millosh Nikoliqi, Dragan Rakiçi, Fazli Hasani e Maliq Sheholli

Me kalimin e viteve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës sa vinte e shpeshtonte sulmet e armatosura. Gjatë viteve 1996-1997, UÇK-ja kishte vrarë dhjetëra policë serbë e shqiptarë të dyshuar për bashkëpunim me serbët.

Por, në janar të vitit 1997, UÇK-ja kishte pësuar një humbje të madhe.

Ishte vrarë Zahir Pajaziti bashkë me Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhë. Lexoni serinë e dytë të komunikatave të UÇK-së për luftën që po niste në Kosovë.

Gjatë viteve 1996-1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte fokusuar në sulme guerile dhe tërheqje të shpejtë.

Cak i këtyre sulmeve ishin shqiptarët e dyshuar për bashkëpunim me regjimin serb dhe policët e pushtetit të dhunshëm të Sllobodan Millosheviqit.

Në komunikatën numër 24 të lëshuar më 30 korrik 1996, Shtabi i Përgjithshëm, tregonte se si e kishte vrarë oficerin e sigurimit shtetëror të Serbisë, Ejup Bajgorën.

“Njësitet e armatosur guerile, që veprojnë në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me urdhër të Shtabit Qendror kryen dy sulme të armatosura kundër policisë okupatore. Sulmi i parë u bë me bomba kundër stacionit të policisë në Çelopek të Pejës, ndërsa i dyti në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës, me ç’rast u bë atentat kundër kriminalit kolaboracionist Ejup Bajgora, i cili me veprimet e veta antishqiptare ka shumë kohë që e kishte mbushur kupën”, thuhet në këtë komunikatë.

Komunikata fliste edhe për bisedimet me Serbinë, por që ato bisedime nuk guxonin të sillnin kurrfarë rezultati tjetër pos atij të referendumit.

UÇK-ja vente edhe kushte për ndaljen e sulmeve guerile.

“Kushti për ndërprerjen e veprimeve tona është që, okupatorët të tërhiqen nga trojet ton, në të kundërtën lufta e jonë do të marrë përmasa edhe më të mëdha”, thuhej në komunikatë.

Komunikata numër 26 tregonte për sulme të suksesshme të kryera më 27 dhe 28 shtator 1996 në Vushtrri, dhe në motelin “Toplica” rrugës për Podujevë, motel ky që shfrytëzohej nga Policia serbe si postbllok. Një sulm tjetër mbi stacionin policor serb ishte kryer edhe në fshatin Runik të Skenderajt.

“Natën e datës 27/28 shtator 1996, në Zonën Operative numër 1. njësitë tona të armatosura sulmuan kazermën ushtarake të okupatorit në Vushtrri. Në Podujevë sulmi u bë në repartin e policisë të stacionuar në Motelin ‘Toplica’ dhe në stacionin e policisë në trekëndëshin rrugor Prishtinë – Podujevë – Kurshumli. Gjithashtu u sulmua dhe stacioni i policisë në Rudnik të Skenderajt”, thuhej në komunikatë.

UÇK-ja pretendonte se armikut i ishin shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe njerëzore. Guerilja shqiptare nuk kishte pësuar asnjë humbje.

UÇK-ja paralajmëronte se Kosova po mbushej me forca të mëdha të ardhura nga Serbia. Në komunikatë sqarohej se lufta nuk kishte karakter fetar apo shovinist, por ishte luftë çlirimtare e cila do të ndërpritej kur të largohej okupatori serb.

Në komunikatën numër 27 të lëshuar më 27 tetor 1997, bëhej e ditur se UÇK-ja kishte arritur të vriste disa policë serbë në aksione të ndryshme. Më 25 tetor 1996, ishte kryer një sulm në fshatin Surkish të Podujevës. Aty kishin mbetur të vrarë policët, Millosh Nikoliq dhe Dragan Rakiç.

“Vendimet për ekzekutimin e tyre e mori Shtabi Qendror i UÇK-së, pasi që ishin provuar krimet e tyre kundër popullit shqiptar të kësaj ane”, thuhej në komunikatë.

UÇK-ja me anë të komunikatës 28 merrte përsipër dy vrasje. Viktimat ishin shqiptarë.

“Më 26 dhjetor 1996 dhe më 9 janar 1997 në zonën operative numër 1 njësitë tona të armatosura kryen dy atentate kundër bashkëpunëtorëve të okupatorit serb në Kosovë”, thuhej në komunikatën e lëshuar më 12 janar 1997.

“Atentati i parë u krye kundër Fail Bellopojës, në fshatin Besi të Podujevës, veprimtaria e të cilit u vlerësua si tejet e rrezikshme dhe antikombëtare, ndërsa i dyti kundër Maliq Shehollit i cili ishte deputet i PSS, bashkëpunëtor i vjetër i UDB-së, pjesëmarrës në varrimin e antishqiptarit dhe kriminelit serb Millosh Nikoliq (i cili u ekzekutua nga njësitë tona më 25.10.1996) me ç’rast mbajti edhe një fjalim mortor”, thuhej në këtë komunikatë.

Vendimin për ekzekutimin e tyre e kishte marrë Shtabi Qendror i UÇK-së, pasi që siç thuhet në komunikatë, ata ishin paralajmëruar edhe më herët, që të heqin dorë nga bashkëpunimi i tyre me okupatorin

“Ekzekutimi i tyre është paralajmërim për të gjithë bashkëpunëtorët e armikut dhe tradhtarët e kombit e në veçanti për ata të cilët gjoja nga trysnia e disa qendrave ndërkombëtare mund të hyjnë në pazarllëqe për të nënshkruar çfarëdo marrëveshje me okupatorit në kundërshtim me interesat e kombit”, shkruan në komunikatë.

UÇK-ja i bënte thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë SHBA-ve, që të ndryshonin qëndrimin rreth statusit të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare.

“Përgjegjësinë për situatat që do të krijohen dhe për pasojat e tyre do ta mbajnë: pushuesit për shkak të mbajtjes nën pushtim të trojeve tona, qendrat e vendosjes për shkak të indiferentizmit që po tregojnë ndaj çështjes shqiptare”, thuhej në komunikatë.

Komunikata numër 29 e lëshuar më 19 janar 1997, zbulonte tri vrasje dhe një plagosje. Dy nga tre të vrarët, ishin shqiptar. I plagosur kishte mbetur edhe një serb.

Në cak të sulmit kishte qenë ish-rektori serb i Universitetit të Prishtinës. I plagosur kishte mbetur shoferi i tij.

“Atentati i parë u krye më 13 janar të këtij viti, ku njësitë tona guerile, ekzekutuan bashkëpunëtorin e policisë serbe Fazli Hasani nga Braboniqi i Mitrovicës. Vendimi për këtë u mor pas një analize të gjatë të veprimeve të tij antikombëtare”, thuhet në komunikatë.

“Veprimi i dytë çlirimtar u krye më 16 janar 1997 rreth orës 8 të mëngjesit kundër armikut të përbetuar të popullit shqiptar e rektorit të Universitetit serb në Prishtinë Radijove Papoviq (me ç’rast u plagos rëndë edhe shoferi zyrtar i tij Nikolla Llalliq)”, thuhet në komunikatë.

Atentati i tretë ishte kryer në Skenderaj. Atje ishte vrarë një i dyshuar shqiptar për bashkëpunim me serbë.

“Atentati i tretë u krye kundër bashkëpunëtorit të okupatorit serb Xun Dervishi nga Skenderaj.

Është hera e fundit që ua tërheqim vërejtjen të gjithë bashkëpunëtorëve të pushuesit që të tërhiqen nga rruga e tyre e turpshme, përndryshe dora hakmarrëse e popullit do t’i godasë pamëshirshëm kudo dhe kurdo”, shkruan në komunikatë.

Më 31 janar 1997, UÇK-ja kishte marrë goditjen më të rëndë. Ishte vrarë komandanti, Zahir Pajaziti bashkë me Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejullahun. Komunikata numër 30 e lëshuar më 3 shkurt 1997, shfaqte dhimbjen dhe humbjen e përjetuar. “Me 31 janar të vitit 1997, në orët e vona të pasdites, tre pjesëtar të njësive tona ushtarake: Hakif Zejnullahu, Zahir Pajazitit dhe Edmond Hoxha, rrugës për në detyrë të karakterit të veçantë, u ndeshën ballë për ballë me forca të shumta të policisë okupatore serbe. Pas një qëndrese heroike, në një betejë të pabarabartë, dhanë jetën për çlirimin e vendit”, thuhej në komunikatë.

Vrasja e tyre, siç thuhej në komunikatë vetëm sa do ta forconte luftën çlirimtare.

UÇK-ja zotohej për hakmarrje.

“Popullit tonë i bëjmë thirrje që në këto çaste vendimtare, mos të bëhet pre e propagandës së turpshme të qarqeve të caktuara, të cilat me veprimtarinë e tyre po ndijojnë mbajtjen nën pushtim të Kosovës, por t’i bashkohet luftës sonë përmes angazhimit të drejtpërdrejtë në radhët tona dhe duke e ndihmuar atë me të gjitha mjetet”, thuhej në komunikatë.