09:19 / E Martë, 30 Tetor 2018

“Novosti” publikon planin e Qeverisë serbe për investimet në Kosovë

Beogradi zyrtar ka përgatitur një paketë ekonomike kapitale për të ndihmuar serbët në Republikën e Kosovës, ky është shkrimi kryesor i publikuar sot në gazetën e madhe serbe, “Novosti”.

Sipas këtij mediumi, investimet janë planifikuara të bëhen në Mitrovicën veriore, Zveçan, Graçanicë dhe vendet tjera me shumicë serbe.

“Qeveria e Ana Bërnabiqit ka përgatitur një paketë të veçantë ekonomik për ringjalljen e komuniteteve serbe në Kosovë dhe Metohi, me vlerë 4.5 miliardë dinarë (382,007 euro)”, citon Novosti.

Infrastruktura, shëndetësia, arsimi, sektori social, sipërmarrja, janë disa prej projekteve që do të zbatohen në një periudhë shumë të afërt.

“Do të investojmë për njerëzit tanë në Kosovë për të forcuar ata dhe kjo do të jetë një mënyrë që të mos largohen nga shtëpitë e tyre”, thuhet në përgjigjen e qeverisë, transmeton Indeksonline

Lidhur me këtë plan sot pritet të diskutohet në takimin që do të mbahet në mes të Qeverisë dhe politikanëve serbë në Kosovë. Takimin nga afër do ta ndjek edhe presidenti, Aleksandër Vuçiq.

Në Leposaviq, sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta, do të ndërtohet një konvikt për shkollën bujqësore ndërsa plani për Mitrovicën do të jetë investimi në Universitet dhe një fushë futbolli.

Gjithashtu është planifikuar edhe ndërtimi i një spitali në Graçanicë dhe një Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ndryshe, Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar se nisma për një sesion të përbashkët erdhi nga presidenti Vuçiq, i cili gjatë vizitës së tij në Kosovë shtator njoftoi një numër të projekteve. /Indeksonline/