NPB: Kryetari i Pejës uzurpoi pronë në Prishtinë
Gazmend Muhaxheri ka katër vite që udhëheq me Komunën e Pejës. Ai tashmë është në garë duke kërkuar edhe një mandat për ta qeverisë qytetin e tij.
Por, Muhaxheri përveç punëve të tij në Pejë, po del të këtë angazhime edhe në Prishtinë, duke bërë biznes me një pronë që dyshohet se nuk është e tij.
Muhaxheri po akuzohet nga Ndërmarrja Publike Banesore, se bashkë me pronarin e Kompanisë “Riza Company”, Petrit Rizën kanë pronësuar në mënyrë të paligjshme parcelën prej 6266, në qendër të Prishtinës, më konkretisht të “Qafa”.
Këtë pronë më pas, Muhaxheri bashkë me Rizën ia kanë lëshuar me qira kompanisë me karakter afarist e financiar “Money Gram”, e pjesa tjetër e pronës shfrytëzohet si parking me pagesë për vetura.
“Njëri nga uzurpatorët është kryetari i tanishëm i Pejës, Gazmend Muhaxheri së bashku me Petrit Rizën, pronarin e Kompanisë Riza Company. Këta të fundit kanë pronësuar në mënyrë të paligjshme parcelën 6266 të cilën i’a kanë lëshuar me qira kompanisë me karakter afarist e financiar “Money Gram” ,ndërsa pjesa tjetër shfrytëzohet si parking me pagesë për vetura”, thuhet në pergjigjen që ka dhënë NPB për Gazetën Fjala.
Në NPB kanë treguar për Gazetën Fjala se kjo ndërmarrje posedon edhe certifikatën e pronësisë që nga viti 1996.
Muhaxheri: Prona është e imja
Por, Gazmend Muhaxheri nuk i pranon akuzat që i janë drejtuar dhe thotë se shtëpia i takon atij, qysh kur babai i tij e kishte blerë në vitin 1985, madje thotë se ka edhe dëshmi për këtë.
“Shtëpia është e babait tim, Adem Muhaxhiri, i cili e ka blerë artë në vitin 1985 nga Hajdar Riza. Shtëpia është në emër të Hajdar Rizës, ndërsa ne kemi një kontratë shitblerje pasi nuk na është mundësuar që ta qesim në emrin tonë”, ka thënë Muhaxheri për Gazetën Fjala.
Muhaxheri thotë se Ndërmarrja Publike Banesore po thirret në disa dokumente të ish sistemit i cili, sipas tij me një vendim e kishte marrë pronën e tyre me një vendim të kundërligjshëm dhe thotë se ka vendime gjyqësore që Komuna e Prishtinës ka për obligim që tua kthejë shtëpinë.
“I kam dy vendime gjyqësore të cilat e obligojnë Komunën e Prishtinës të na kthejë shtëpinë, por që nuk e kanë pranuar. Tani rasti është në Gjykatën Supreme dhe presim vendimin e tyre”.
Kur është pyetur nga Gazeta Fjala se a kanë ndonjë marrëveshje për shfrytëzim me NPB, Muhaxheri ka thënë se nuk pranon të hy në marrëveshje për pronën e tij.
“Unë nuk pranoj të hy në marrëveshje dhe të paguaj asnjë kompensim për pronën time”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.
Gazeta Fjala ka provuar të marrë një përgjigje për ketë rast edhe nga pronari i Kompanisë “Riza Company”, Petrit Riza, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Në listën e NPB ka edhe tjerë uzurpatorë
Mirëpo, Muhaxheri nuk është i vetmi që përmendet në listën e uzurpatorëve. Numri i personave që po shfrytëzojnë jashtëligjshëm pronat e Ndërmarrjes Publike Banesore, del të jetë goxha i madh dhe nga fytyra publike.
“Disa parcela që gjenden në lagjen Hajdar Dushi dhe janë të uzurpuara/shfrytëzohen nga persona që janë figura publike , shumë banesa që gjenden në Bregun e Diellit dhe Dardani dhe pjesë tjera të Prishtinës por edhe ne Fushë Kosovë dhe Obiliq”, kanë deklaruar nga NPB-ja për Gazetën Fjala.
Në listën e uzurpatorëve që ka hartuar NPB-ja në vitin 2016, figurojnë emrat e Kadrije Zhubi, Xhemajl Kajdomcaj, Bahri Hoxha, Rrustem Murati, Isak dhe Mustafë Shala, Kompania e Sigurimeve Eurosig, Musa Kutllovci, Shemsie Havolli dhe Zeqir Sallahu.
Por, se sa është numri i pronave të uzurpuara nuk janë në dijeni as nga kjo ndërmarrje, pasi që çdo ditë numri i tyre shënon rritje.
“Numrin e saktë nuk mund ta themi pasiqë çdo ditë hasim në dokumentacion të ri dhe si rrjedhojë bëjmë hulumtimin dhe gjurmimin e pronave të NPB-se të cilat zakonisht dalin që janë në shfrytëzim të jashtligjshem”.
Por, NPB-ja po e ka problem që ta dëshmojë edhe se pronat i takojnë kësaj ndërmarrje, pasi që dokumentacioni për to mungon ose është zhdukur. Por për shumicën e tyre ka inicuar procedura gjyqësoore dhe janë në pritje të vendimit të gjykatës.
Pavarësisht këtyre veprimeve, disa prona vazhdojnë të mbahen të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme nga individ por edhe institucione të ndryshme.
“Edhe përkunder veprimeve tona në teren, fatkeqesisht ende kemi një numer të konsideruaeshëm pronash të cilat janë de jure janë të NPB-se mirëpo vazhdojnë të mbahën të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme nga individ por edhe institucione të ndryshme”.
Në objektin banesor me numër 39, në Lagjen Kodra e Diellit, në Prishtinë ka uzurpues në shtatë katetet e këtij objekti.
“Gjashtë persona kanë uzurpuar banesa në katin e parë, gjashtë në katin e dytë, gjashtë në katin e tretë, gjashtë në katin e pestë, gjashtë në katin e gjashtë dhe katër në katin e shtatë”, thuhet në dokumentet që ka siguruar Gazeta Fjala.
NPB-së i rriten pronat për 155 milionë e 713 mijë e 478 euro
Ndërmarrja Publike Banesore, në bazë të vlerësimit që kishte bërë në vitin 2016, kishte 5 milionë e 556 mijë e 508 euro pasuri të paluajtshme.
Por, në bazë të rivlerësimit që ka bërë kjo ndërmarrje për vitin 2017, NPB-së i rriten pronat për 155 milionë e 713 mijë e 478 euro
“Vlera e banesave që janë në pronësi të NPB-së është 1 milionë e 846 mijë e 631 euro (1,846,631),vlera e tokave në pronësi të NPB-së është 105 milionë e 565 mijë e 355 euro (105, 565,355),totali i lokaleve, garazhave, depove që ka NPB-ja në pronësi është 53 milionë e 858 mijë e 355 euro (53,858,355)”, thuhet në rivlerësimin e NPB-së.
Pasuria e paluajtshme që ka NPB-ja në pronësi kap vlerën prej 161 milionë e 269 mijë e 986 euro, ku përfshihen objekte banesore, toka, lokale, garazha dhe depo.
E rritja e pasurive të paluajtshme me rivlerësimin e vitit 2017, NPB-ja e arsyeton me arritjen e marrëveshjeve me shfrytëzuesit e jashtligjshëm që të lidhin kontrata mbi qiranë për pronat e NPB-së, kështu që tani këto prona janë nën menaxhim dhe qiran për shfrytëzimin e tyre e merr NPB-ja.
“Fjala është për disa prona të NPB-së të cilat kanë qenë të uzurpuara pas luftës dhe janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme qoftë për banim apo veprimtari afariste. NPB përmes përpjekjeve dhe aksioneve të vazhdueshme ka arritur që ti bindim shfrytëzuesit e jashtligjshem që të lidhin kontrata mbi qiranë për pronat e NPB-së, kështu që tani këto prona i kemi nën menaxhim dhe marrim qira për shfrytëzimin e tyre”.