08:38 / E Diele, 01 Prill 2018 / indeksADMonline

Nuk garantohet suksesi me ndryshimin e testit të Maturës, problemi është diku tjetër

Gjatë kësaj jave Komisioni Shtetëror i Maturës ka njoftuar se këtë vit organizimi i testit do të ndahet në katër regjione në mënyrë që të bëhet menaxhimi sa më i mirë i testit. Regjioni i Prizrenit dhe Gjakovës, regjioni i Mitrovicës dhe Pejës, regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit dhe regjioni i Prishtinës.

Mirëpo se a do të ketë efekt në cilësinë më të mirë të rezultateve kjo mënyrë e realizimit të testit tregon analisti, Dukagjin Popovci.

Sipas tij kjo formë e organizimit të provimit të maturës krijon parakushte për mbikëqyrje më cilësore të nxënësve.

“Administrimi ka qenë pika më e dobët e testeve kombëtare të viteve të kaluara dhe ka bërë të mundur mashtrimin dhe kopjimin masiv në teste. Me këtë formë të organizimit të provimit të maturës krijohen parakushte për mbikëqyrje më cilësore të nxënësve, sepse ekziston mundësia të përzgjidhet një numër më i vogël i administratorëve të ndërgjegjshëm, të cilët mund të punojnë në disa qendra testimi, ka thënë Popovci.

Ai ka thënë se Ministria e Arsimit duhet të përmirësojë mbikëqyrjen ndaj administratorëve dhe të merren masa ligjore në rast se ata dështojnë të kryejnë punën si duhet.

“Kuptohet, duhet të përmirësohet shumë edhe mbikëqyrja e vet administratorëve nga MASHT-i dhe të bëhet e qartë se do të merren masa ligjore ndaj të gjithë atyre që nuk janë në nivel të detyrës, gjë që nuk ka ndodhur deri tani”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Arsim, Smajl Kurteshi ka thënë se ende nuk kanë marrë informatë zyrtare nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me këtë njoftim.

“Me ju thënë të drejtën ne jemi të njoftuar më tepër përmes medieve, nuk kemi ndonjë informatë zyrtare prej ministrisë. Mendoj që ministria është dashtë me ia dërgua komisionit një njoftim zyrtar”, ka thënë Kurteshi për arbresh.info.

Kurse sa i përket efektit të kësaj forme të organizimit të testit në katër regjione, Kurteshi është shprehur skeptik që kjo mënyrë mund të garantojë sukses duke shtuar se ata që duhet të përgatiten janë nxënësit në mënyrë që të thonë atë që dinë e jo të merren me kopjime.

“Por nuk mendoj që kjo ndarje garanton sukses, suksesi vjen vetëm si rezultat i një organizimi serioz që do të thotë aty do të duhet t’i përgatisin nxënësit që ta thonë atë që e dinë e jo që ata tërë kohën të kalojnë duke ushtrua e duke nxënë shkathtësi të kopjimit, kjo tek ne problemi kryesor është kopjimi,”, është shprehur Kurteshi.

Sipas tij e gjitha varet nga organizimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke shtuar se ndarja e testit të maturës këtë vit në katër regjione nuk garanton sukses.

“Nuk e di se a ka ndonjë gjë ma mirë apo jo mbetet me pa. Varet prapë po them prej organizimit që e bënë ministria kjo ndarja nuk garanton vetvetiu që ka me qenë i suksesshëm”, ka përfunduar ai.