14:44 / E Diele, 02 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Mësimdhënësit kushtëzojnë notat e nxënësve me shkuarjen në kurse private

Mbajtja e kurseve private nga mësimdhënësit përveç që mund të kontribuon të plotësohet dija në pjesët ku ka hapësira te nxënësit, në Kosovë shpesh përdoret edhe si mjet kushtëzimi.

Ka raste kur mësimdhënësit kanë zgjedhur që të kushtëzojnë nxënësit që me të ndjekur kursin e tyre privat, do të shpërblehen me një notë të mirë.

Para pak ditësh Komuna e Gjakovës ka marr një vendim, përmes të cilit mësimdhënësve në shkollat publike në këtë komunë, iu është ndaluar mbajtja e kurseve private për nxënësit që iu japin mësim, shkruan Indeksonline.

“Mbajtja e kurseve me pagesë për nxënësit të cilëve iu japin mësim në shkollat publike, arsimtarët e punësuar në sektorin publik, konsiderohet si shkelje e rëndë e detyrave të punës të parapara me legjislacion dhe sipas Rregullores për Institucionet Edukative dhe Arsimore të Komunës së Gjakovës” thuhej në njoftimin e Komunës së Gjakovës.

Por drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci për Indeksonline ka thënë se asnjë të punësuari në sektorin publik nuk mund t’i ndalohej ushtrimi i veprimtarisë në sektorin privat, si rrjedhojë edhe mbajtja e kurseve private nga mësimdhënësit ligjërisht nuk mund të ndalohet.

“Në Kosovë asnjë të punësuari në sektorin publik nuk mund t’i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë në sektorin privat, pas orarit të rregullt të punës. Për këtë ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2013, e që ka të bëj me punëtorët shëndetësorë të punësuar në sektorin publik. Prandaj, mbajtja e kurseve private nga mësimdhënësit e punësuar në sektorin publik ligjërisht nuk mund të ndalohet” është shprehur Pupovci.

Sipas tij, ky ndalim mund të bëhet për mësimdhënësit që ftojnë nxënësit e tyre në kurse private, ashtu sikurse ka vepruar edhe Komuna e Gjakovës.

“Ajo që mund dhe duhet të ndalohet është që në këto kurse private mësimdhënësit t’i ftojnë nxënësit e tyre nga shkolla, sepse kjo paraqet konflikt të drejtpërdrejtë interesi” ka thënë Pupovci.

Valmir Gashi, këshilltar pran Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka thënë që vlerësimet e tilla individuale ose edhe grupore, mbeten vetëm interpretime, pasi që ky institucion merr në konsideratë vetëm interpretimet ligjore.

“Konsiderojmë të drejtë atë që është ligjore, ndërsa për vlerësime tjera individuale ose edhe grupore, mbeten vetëm interpretime” është shprehur Gashi i kontaktuar nga Indeksonline.

Njohësi i arsimit, Dukagjin Pupvci ka pohuar se rastet e kushtëzimit të notës nga mësimdhënësit me anën e kurseve private nuk janë të rralla. E sidomos ato nuk zbulohen kur prindërit pranojnë kushtëzimin si mjet për të siguruar “suksesin” e fëmijës së tyre në shkollë.

“Për fat të keq, rastet e tilla nuk janë të rralla, ndërsa fakti se një numër i prindërve e pranojnë kushtëzimin si mjet për të siguruar “suksesin” e fëmijës në shkollë, e bën edhe më të vështirë zbulimin e këtyre rasteve”. E prindërit po konsiderohen si faktor që mund të ndalojë këtë formë “shit-blerje” të notave edhe nga këshilltari Gashi.

Sipas tij, prindi mund të mos e lejoj fëmijën e tij të ndjek kurse të kësaj natyre, ose t’i lajmëroj organet e institucionit edukativo arsimor në rast të shkeljeve të tilla.

“Gjithsesi, në këtë çështje roli i prindit është qenësor, nga se ai mund të mos e lejoj fëmijën e tij të ndjek kurse të kësaj natyre, ose t’i lajmëroj organet e institucionit edukativo arsimor” ka thënë Gashi.

Sipas Pupovcit, drejtoritë komunale të arsimit duhet që të reagojnë ndaj denoncimeve të kësaj natyre dhe të marrin masa.

“Megjithatë, drejtoritë komunale të arsimit, si punëdhënës, duhet të reagojnë ndaj denoncimeve për shkelje etike të kësaj natyre dhe të marrin masa ndaj mësimdhënësve të pandërgjegjshëm” ka përfunduar ai.

Ndryshe, Valmir Gashi nga Ministria e Arsimit ka thënë se nuk ka informacione nëse ndonjë mësimdhënës është dënuar në lidhje me këtë dukuri./Indeksonline/