23:57 / E Enjte, 21 Janar 2021 / B O

Nuk guxon t’i shkosh tek varri

Nga Merlinda Tahiri

Nuk guxon t’i shkosh tek varri

Në përvjetorë vdekjesh si kjo e sotmja, nxitemi në përkujtim. I rikthehemi kujtimit të jetës, të bëmave, veprimtarisë dhe momenteve, të cilat i ruajmë dhe me të cilat jetojmë. Simbolikat e shprehjes së respektit i paraqesim secili në mënyrën tonë.

Sot shumë iu përkulën tek varri.

Athua vallë cfarë përkujtuan nga jeta e presidentit Ibrahim Rugova? Themelimin e partisë së parë antikomuniste dhe demokratike në Kosovë? Fillimin e mbjelljes dhe shtrirjes së celulave të para të demokracisë dhe pluralizmit? Ndërtimin e raporteve të fuqishme diplomatike me shtetet e Evropës Perëndimore dhe ShBA-ve? Mos vallë përkujtuan mbajtjen e kohezionit social dhe frymën e unitetit mbarëpopullor? Kujtuan idenë e tij madhore për shtetndërtim dhe përpjekjen e tij të pandalur për integrim në strukturat e BE-së dhe NATO-s?

Kujtesa mund të jetë e gjatë sepse e tillë ishte veprimtaria e tij. Edhe përkulja përpara varrit mund të jetë e gjatë, por në thelb duhet të jetë e sinqertë. Duhet të besosh thellësisht në vlerat dhe kontributin e I. Rugovës, që ta respektosh në ditëvdekjen e tij.

Nuk duhet t’i shkosh tek varri, kur nuk njeh dhe nuk pranon pluralizmin politik, institucionet dhe shtetin, te cilat Rugova i formoi.

Është e pakuptimtë t’i shkosh tek varri kur indoktrinon, ndan e shkatërron pjesën më vitale të shoqërisë.
Familja është celula kryesore e shoqërisë, e cila goditet cdo ditë.
Dikur në komunizëm, anëtarët e një familjeje armiqësoheshin për shkak të indoktrinimit dhe për shkak se “partia” kishte arritë të shtrijë dorën e vet. Sot, kjo është goditja më e madhe që i bëhet shoqërisë kosovare dhe për të cilën nuk mund të ketë falje.

Të prishësh cdo raport miqësor dhe të nxitësh gjuhë e ligjërim urrejtës ndaj perëndimit, miqësinë e të cilëve e fituam me shumë mund, është më shumë se dashakeqëse.
Është e frikshme.

Është trishtues ligjërimi i shumicës në strukturat e “partisë” përmes superlativës, e cila nxitë më shumë armiqësinë dhe dhunën. Kjo nuk i duhet as familjes, as shoqërisë dhe as shtetit tonë.

T’i përulesh Ibrahim Rugovës për thjeshtësinë, butësinë e urtësinë, e në të njëjtën kohë të veprosh me megallomani nacionaliste, radikaliste e fashiste, është më shumë se qesharake.
Është turpëruese.
Është trishtuese.

Në shpatullat e përuljes suaj, ju rëndon gënjeshtra, mashtrimi, manipulimi e tradhëtia.

Nuk guxon t’i shkosh tek varri, po nuk ndjeve një grimcë falenderimi dhe mirënjohje në zemër.
Dhe këtë ju nuk e keni.
Dhe këtë Rugova, që herët, e dinte më së miri.