22:01 / E Mërkurë, 04 Dhjetor 2019

Nuk ikin vetëm kosovarët, shumë shtetas të huaj po aplikojnë për azil në Kosovë

Edhe pse shumë kosovarë zgjedhin që të ikin nga shteti i tyre dhe të aplikojnë për azil në vendet e tjera të botës, ka edhe të tillë që aplikojnë për azil në Kosovë.

Shumë shtetas të huaj kanë aplikuar për azil në shtetin e Kosovës, edhe pse disa nga kërkesat janë refuzuar.

Vetëm gjatë periudhës korrik-shtator 2019 janë evidentuar 495 azilkërkues, nga të cilët 349 apo 70.5% meshkuj dhe 146 apo 29.5% femra.

Numri i përgjithshëm i azilkërkuesve në këtë periudhë ishte 495, 272 prej tyre nga Iraku, 117 nga Siria, 17 Algjeri, 16 Palestinë,  15 nga Turqia si dhe 58  nga vende të tjera.

Grupmosha me më së shumti aplikues azil në Kosovë ishte 18 deri në 34 vjeç.

Gjithashtu në periudhën korrik-shtator janë bërë edhe 1 mijë e 548 kërkesa për leje-qëndrim, ku nga ky numër del të jenë bërë 1 mijë e 483 kërkesa për leje-qëndrim të përkohshëm nga të cilat 739 ishin me vendim pozitiv, 398 në pritje të vendimit, 306 është numri i vendimeve pozitive pa caktim të kohëzgjatjes dhe 40 vendime negative, shkruan Indeksonline.

Sipas MPB-së nga numri i vendimeve pozitive për leje qëndrim të përkohshëm, 342 apo 46% janë meshkuj, kurse 397 apo 54% janë femra.

Në këtë tre mujor në Divizionin për Shtetësi pati edhe kërkesa për leje qëndrim të përhershëm.  Ishin gjithsej 65 kërkesa, ku 28 ishin me vendim pozitiv, 27 kërkesa në pritje të vendimit, 9 ishte numri i vendimeve pozitive pa caktim të kohëzgjatjes, kurse një me vendim negative.

54% prej tyre ishin meshkuj, kurse 46% femra.

Janë pikërisht shtetasit turk të cilët bën numrin më të madh të kërkesave për leje qëndrim të përkohshëm në Kosovë, shumica prej tyre për punë apo bashkim familjar.

Kurse serbët janë të parët që bën më së shumti kërkesa për lejeqëndrim të përhershëm në Kosovë, shumica prej tyre për punë apo bashkim familjar./Indeksonline/