16:57 / E Hënë, 15 Prill 2024 / Gj. Sh

“Nuk ka më tolerime”, presidenti i LaLiga-s: Detyruam Barcelonën të shiste yjet!

Barcelona vuan prej disa sezonesh atë që quhet “Fair Play” financiar, me blaugranat që kanë hasur edhë në rezistencën e fortë të presidentit të LaLiga-s, Javier Tebas. Ky i fundit nuk i ka toleruar katalanasit sa i takon aspektit financiar, me blaugranat që në më shumë se një rast janë kërcënuar se nuk do të mund të regjistronin lojtarët nëse nuk do të ishin në rregull me bilancin ekonomik.

Së fundmi, në një intervistë për gjermanen “Kicker”, Tebas theksoi se do të dëshironte që edhe në Europë të bënin si në Spanjë e të mos toleronin klubet me probleme financiare.

“Të jem i sinqertë, dua që edhe klubet e tjera në Europë të jenë si Barcelona dhe të respektojnë rregullat e “Fair Play” financiar. Te Barcelona nuk mund të transferojnë më kë futbollist të duan, sistemi jonë i kontrollit financiar, i detyroi të shisnin yjet dhe t’i zëvendësonin me lojtarë më ekonomikë.

Organika e Barcelonës më parë kushtonte mbi 650 milionë euro ndërsa tashmë varion në 520 milionë euro dhe mendoj se do të ulet edhe më shumë”, u shpreh Tebas. /ss/