12:56 / E Premte, 15 Mars 2024 / mp

Nuk ka shtim të pacientëve me COVID-19

Edhe pse këtyre ditëve shumë qytetarë u janë drejtuar shtëpive të shëndetit si pasojë e gripit e madje, disa nga ta aludonin se është përhapur sërish COVID-19, ekspertët shëndetësorë thonë për Radio Kosovën se nuk ka shtim të pacientëve me COVID-19 dhe se situata është e qetë. Vetëm dy raste janë identifikuar në dy javët e fundit.

Situata epidemiologjike në Kosovë paraqitet të jetë e qetë sipas ekspertëve shëndetësore. Por shumë qytetarë ditëve të fundit u janë drejtuar shtëpive të shëndetit si pasojë e gripit, të cilët ngrenë dyshime për një valë të re të COVIDIT. Mirëpo nga Klinika Infektive për Radio Kosovën kanë bërë me dije se nuk ka shtim të rasteve me COVID-19.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arbnen Vishaj, tha se aktualisht është një situatë e qetë epidemiologjike dhe nuk kanë ndonjë ngarkesë të pranimit të pacientëve me COVID-19.

“Në Klinikën Infektive nuk kemi ndonjë rritje të fluksit të pacientëve. Kemi një situatë të rëndomtë, të zakonshme e të pritshme. Kemi një situatë të qetë epidemiologjike. Kemi raste herë pas here sporadike por të pritshme. Por nuk kemi ndonjë ngarkesë të pranimit të pacientëve me COVID-19”, tha ai.

Që nuk ka shtim të rasteve me COVID-19 e thonë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë. Nga ky institucion shëndetësor në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën kanë thënë që në dy javët e fundit janë raportuar vetëm dy (2) raste pozitive dhe asnjë rast i vdekjes me COVID-19.

“Situata epidemiologjike në Kosovë në dy javët e fundit, nga data 21 shkurt deri me 5 mars, janë raportuar dy (2) raste pozitive dhe asnjë rast i vdekjes me COVID-19. Sipas grupmoshave një rast i takon grupmoshës 20-29 dhe 60-69 vjeç (nga 1 rast), me moshë mesatare 52 vjeç”, thekson ISHPK.

Ndërkaq që nga 13 marsi 2020 deri më 05 mars 2024, nga IKSHPK-ja janë testuar gjithsej 1 milion e 997 mijë e 71 persona. Ndërsa me SARS-CoV-2 janë diagnostikuar gjithsej 274 mijë e 521 raste.

Kurse janë shëruar 271 mijë e 305 raste të infektuarve, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë rast aktiv. Kurse që nga viti 2020 deri më tani, janë regjistruar gjithsej 3 mijë e 224 raste të vdekjeve me COVID-19.