75 Mall Live Search
20:13 / E Hënë, 13 Korrik 2026 / Z S

Shpëtohen 9 turistë të huaj në Himarë dhe Ksamil

Nëntë turistë të huaj janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në dy raste të ndryshme të regjistruara në Himarë dhe Ksamil.

Rasti i parë u shënua në zonën e Filikurit, në Himarë, ku një shtetase spanjolle njoftoi se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare nisën kërkimet dhe bënë të mundur lokalizimin e tij, nxjerrjen nga uji dhe transportimin e sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, shkruan A2CNN.

Një tjetër ndërhyrje u krye në Ksamil, ku 8 turistë brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, u shpëtuan pasi skafi plastik me të cilin lundronin rrezikonte të fundosej në zonën pranë “Tre Ishujve”.

Efektivët e Policisë Kufitare ndërhynë me gomone dhe mjete jet ski, duke i nxjerrë turistët në siguri dhe duke rimorkuar mjetin lundrues drejt bregut në zonën e plazhit “Puerto Rico”.