20:31 / E Martë, 08 Qershor 2021 / OSH

Nuk pranohet propozimi i AKR-së për t’i kompensuar mëditjet e këshilltarëve me COVID-19

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës nuk ka votuar fare nëse duhet t’u paguhen ose jo mëditjet këshilltarëve komunalë që kanë qenë me COVID-19 gjatë kohës së pandemisë. Ky propozim që është bërë nga këshilltari komunal nga radhët e AKR-së, Driton Hasolli, nuk është hedh fare në votim nga kryesuesja, Vjollca Konjusha. Hasolli ka pasur vërejtje pse nuk ishte futur kjo pikë në rend të ditës si rekomandim i Komitetit për Politikë dhe Financa.

“Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa u morëm vesh që të hyjë si rekomandim mëditjet për ata që kanë qenë me COVID, sepse Kuvendi Komunal nuk u ka ofruar as kushtet elementare për të marrë pjesë në mbledhje. Dhe ata këshilltarë komunalë që kanë qenë me COVID duhet t’u kompensohen mëditjet”, ka thënë Driton Hasolli në mbledhjen e së martës të Kuvendit Komunal.

Por, ky propozim nuk është mbështetur nga Driton Ademi i Nismës.

“Mbledhjet ose janë me prezencë fizike ose ‘online’. Unë kam qenë me COVID dhe unë ato mjete nuk i marrë. Duhet me u solidarizua me publikun”, ka thënë ai.

As shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së nuk e ka parë të realizueshme këtë kërkesë.

“Po e kuptojmë edhe Driton Hasollin, na kemi raste që në kuptimin etik e mbështesim që të jemi më solidarë me publikun dhe një gjë e tillë (pagesa e mëditjeve v.j.) nuk është e arsyeshme edhe pse mungesa )në mbledhje v.j.) ka qenë e detyrueshme. Unë nuk shoh realizimin e këtyre mjeteve”, ka thënë Remzi Shala.