22:53 / E Diele, 21 Tetor 2018 / indeksADMonline

Nuk priten rezultate të shpejta të përmirësimit të ndotjes së ajrit

Jemi në prag të sezonit kur cilësia e ajrit në Kosovë shpesh herë kalon të gjitha nivelet e ndotjes, duke rrezikuar kështu shëndetin e qytetarëve.

Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me ministritë  e tjera kanë mbajtur Task-Frocën për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, e themeluar nga Qeveria e Kosovës.

Në një prononcim për Indeksonline, Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministrit të Mjedisit, Fatmir Matoshi  tha se në këtë takim është kërkuar nga ministritë anëtare që të përmbushin obligimet e tyre ligjore për reduktimin e ndotjes së ajrit ne vend.

Kështu, me propozim të ministrit të tanishë Matoshi, përfaqësuesit ndërministror të Task Forcës kanë aprovuar  propozim vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje ne objektet e institucioneve publike, i  cili  është  proceduar për miratim në Qeveri.

“Ditë më parë kemi mbajtur mbledhjen e radhës të task forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, e themeluar nga Qeveria  e Kosovës, kurse e udhëhequr nga koordinatori, Ministri i tanishëm MMPH-së, Fatmir Matoshi. Në takimin e fundit të kësaj task force, kemi kërkuar nga ministritë anëtarë që të përmbushin obligimet e tyre ligjore për reduktimin e ndotjes së ajrit në vend. Gjatë këtij takimi, me propozim ministrit Matoshi, përfaqësuesit ndërministror të Task Forcës kanë aprovuar  propozim vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje ne objektet e institucioneve publike, i  cili  është  proceduar për miratim në Qeveri. Kemi kërkuar nga Qeveria që të marrë vendim për ndalimin e thëngjillit edhe në objektet e  institucioneve publike, qendrore dhe lokale”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, MMPH ka kërkuar nga MZHE, që të ndalet praktika e dhënies falas të thëngjillit për punëtoret e KEK-ut.

Por, sipas tij, problemi i ndotjes së ajrit është problem i shtresuar që nga pas lufta dhe nuk pritet që të ketë rezultatet të shpejta.

“Problemi i ndotjes së ajrit është problem i shtresuar që nga pas lufta dhe nuk pritet që të kemi rezultate te shpejta sepse varet nga disa ministri se sa shpejtë arrijnë që të përmbushin obligimet e tyre ligjore ne fushën e mbrojtjes së ajrit. Ne jemi duke pritur gjithashtu rezultate e studimit të JICA-s për ndotësit kryesor të ajrit ne Prishtinë, rezultate këto që do të shpallen ne fillim të muajit nëntor, e të cilit do të na shërbejnë për të ndërmarrë masa veprimi në këtë sezon vjeshtë-dimër”, ka thënë më tej ai.

Njëkohësisht, ministria ka njoftuar se po vazhdon investimi nga MZHE për zgjerimin e rrjetit të koogjerimit në Prishtinë, në mënyrë që qytetaret të kenë një alternative dhe kështu ta ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje./Indeksonline/