10:32 / E Premte, 29 Mars 2024 / S Z

Numër i vogël i anesteziologëve në QKUK, Gazmend Spahiu tregon se a po kthehen anesteziologët nga sektori privat !

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), vazhdon të përballet me mungesë të anesteziologëve. Numri i tyre nga viti në vit vazhdon të jetë më i vogël, pasi që ata po braktisin QKUK-në.

 Drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv Gazmend Spahiu në një intervistë për “Indeksonline”, thotë se për momentin QKUK-ja i ka vetëm 48 anesteziolog, e që është larg numrit optimal që i duhet QKUK-së. Ndërkaq thotë se vetëm gjatë vitit 2023 në QKUK janë kryer mbi 19 mijë anestezione, me vetëm 48 anesteziolog.

“Për momentin i kemi 48 anesteziologë, por fatmirësisht sot kemi pasur një intervistë me një anesteziolog, i cili shprehu dëshiren për me u kthy në Kliniken e Anestezionit. Është një numër i cili është i pamjaftueshëm. Sipas llogaritjeve të kolegjiumit të shefave të klinikës sonë, mendoj që duhet me qenë diku 118 deri 120 anesteziolog. Jemi shumë shumë larg numrit optimal për anesteziolog.Klinika e Anestezionit tenton që secilen sallë operative me mujt me mbulu, me pas një mbulueshmëri racionale dhe distribuimi i anesteziologëve me qenë sa më i njëtrajshëm në të gjitha sallat, mos me i lënë disa salla të cilat munden me u grumbullu numër më i madh i pacientëve në listë të pritjes. Me këta që kemi po mundohemi. Përpos sallave operative, Klinika e Anestezionit menaxhon dhe 11 njësi jo operative. Janë njësi ku kërkohet asistenca e anesteziologut por nuk është  sallë operative, por për intervenime të shkurta”, tha ai.

Megjithëse ishin larguar në sektorin privat, Spahiu thotë se anesteziologët po kthehen sërish në QKUK, pasi që puna aty është më e sigurtë.

“Prej sektorit privat, i kemi pas dhe tre koleg që janë kthy vitin e kaluar. Puna në sektorin publik është më e sigurtë se në sektorin privat, përkundër ofertës që është më e mirë në sektorin privat, puna është shumë më e sigurt në sektorin publik. Në 2023 kemi pasur vetëm një koleg i cili është pensionuar. Por në 2022 kemi pasur fluks më të madh pasi që 11 anesteziologë janë larguar prej punës, tre që janë pensionu dhe një që ka ndërruar jetë. Të gjithë anesteziologët kanë shkuar në sektorin privat në Kosovë, jo jashtë kufijve të Kosovës, për shkak të ofertës më të mirë”, tha ai.