16:49 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

Numri i të infektuarve në Suedi po rritet sërish pas kthimit të “përqafimeve e festave”

Disa zona në Suedi po shohin një rritje të numrit të infektuarve nga koronavirusi, pasi disa njerëz duket se kanë lënë anash muaj të tërë qasje të kujdesshme duke u kthyer në një jetë të plotë sociale, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, të enjten, raporton agjencia Reuters.

Ndryshe nga shumica e shteteve, Suedia ka vendosur të mos mbyllej shkaku i koronavirusit, por është bazuar në përgjegjësinë e popullatës, distancën sociale dhe higjienën e mirë për të ndaluar infeksionin.

Ndonëse rastet me COVID-19 në Suedi mbesin më të ulëta se në shumicën e vendeve në Evropë, Suedia ka regjistruar një rritje graduale të të infektuarve të rinj në javët e fundit. Të enjten janë raportuar 533 raste të reja, shifra më e lartë që nga fillimi i korrikut.

Kryeministri i Suedisë, Lofven, ka thënë se suedezët janë relaksuar së tepërmi, duke mos respektuar rregullat anti-COVID.

“Në Suedi, situata është stabile, por ne po shohim edhe shenja të rritjes së numrit të infektuarve në zona të caktuara në shtetin tonë. Kjo është shqetësuese”, ka thënë Lofven në konferencë për media. “Kujdesi që ekzistonte në pranverë është zëvendësuar gjithmonë e më tepër me përqafime, festa, udhëtime me autobus në kohën e trafikut të ngarkuar dhe në jetën normale të përditshme. Shumë po duket se janë kthyer në normalitet. Ajo që bëjmë mirë tash, do të jemi falënderues për të më vonë. Por edhe atë që e bëjmë gabim tash, do ta vuajmë më vonë”, ka thënë kryeministri.
 

Ai i ka bërë thirrje suedezëve që të respektojnë distancën sociale dhe të mbajnë higjienën, duke paralajmëruar se Qeveria është e gatshme të prezantojë masa më strikte nëse duhet bërë këtë për të ndaluar përhapjen e virusit.

“Për fat të keq, po shohim një përmbysje të vogël”, ka thënë krye-epidemiologu Anders Tegnell. “Po ec ngadalë, por sigurt në drejtimin e gabuar, diçka që kemi folur se mund të ndodhë në vjeshtë kur jemi kthyer në punë”.

Suedia ka regjistruar dy të vdekur nga COVID-19 të enjten, duke çuar shifrën totale të vdekurve në 5878.

Shiufra është dyfishtë më e madhe për kokë banori sesa në shtetet tjera nordike, por më e ulët se te shtetet si Spanja e Italia që kishin marrë masa strikte kufizuese.