09:18 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Numri i viktimave nga vrasjet, në Shqipëri, rritet me 15 për qind

Kronikat e vrasjeve janë bërë thuajse të përditshme, në Shqipëri.

Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se në vitin 2018 u regjistruan 2.3 viktima për çdo 100 mijë banorë të vendit, duke shënuar kështu një rritje me 15 për qind në krahasim me një vit më parë.

Për sa i përket numrit të viktimave nga trafikimi i qenieve njerëzore për vitin 2018 u regjistrua 3.3 viktima për 100 mijë banorë. Ky tregues në raport me një vit më parë shënoi një rënie prej 10.8 për qind.

Një tjetër tregues i këtij objektivi është edhe numri i të padënuarve në totalin e të burgosurve.

Sipas INSTAT-it më 2018 rreth 41.8 për qind të të burgosurve në Shqipëri nuk kishin marrë një dënim. Krahasuar me një vit më parë ky tregues nuk kishte ndonjë ndryshim. Në botë përqindja e të burgosurve të mbajtur në paraburgim pa vendim final ka mbetur pothuajse konstante në dekadën e fundit, në 31 për qind të të gjithë të burgosurve. Kjo normë është rreth 10 pikë përqindje më e ulët se në Shqipëri, transmeton monitor.

Rreziku ndërkombëtar nga vrasjet, dhuna ndaj fëmijëve, trafikimi i qenieve njerëzore dhe dhuna seksuale është i rëndësishme për t’u adresuar dhe për të promovuar shoqëri më paqësore dhe gjithëpërfshirëse për një zhvillim të qëndrueshëm

Për të trajtuar këto sfida dhe për të ndërtuar një shoqëri më paqësore, gjithëpërfshirëse, duhet të ketë ligje më efikase dhe transparente të vendosura dhe buxhete gjithëpërfshirëse, realiste të Qeverisë.