14:53 / E Martë, 19 Prill 2022 / LB

Nxënësit protestojnë mes thirrjesh, tregojnë pse “S’po shkohet në shkollë”

Me thirrjet “Boll kemi heshtë”, “Drejtësi në Arsim”, “Heshtja nuk është zgjidhje!”, “Ku janë psikologët”, “T’i kthehet vëmendja ARSIMIT!””, nxënës të shumtë kanë protestuar sot në sheshet e Prishtinës.

Marshi protestues me moton “S’po shkohet në shkollë” ka filluar nga sheshi, “Zahir Pajaziti” për të vazhduar deri tek Teatri Kombëtar.

Përfaqësuesi i Këshillit të nxënësve të Kosovës (KNK), Denis Krasniqi, tha se shkolla si institucion ka dështuar të ofrojë arsim cilësor. Derisa shtoi se të gjitha vendimet në institucionet shkollore merren pa ta.

“Shkolla si institucion edukativo-arsimor ka dështu me na ofru arsim cilësor, njohuri, mirëqenie e barazi”, tha ai.

Ai po ashtu tha se “s’po shkohet në shkollë” pasi që sipas tij, në mungesë të kushteve po rrezikohen nga papastërtia.

“Nuk kemi karrige, nuk kemi tavolina, nuk kemi dritë dhe ajër të mjaftueshëm, nuk kemi shujta ushqimore, nuk kemi tualet të mirëfilltë”, shtoi ai.

Ndërsa ka thënë që profesorët i ftojnë edhe në kurse private e që shkolla është kthyer në sistem diktature.

KNK në këtë ditë synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit ballafaqohen në baza ditore.