19:23 / E Hënë, 06 Maj 2019 / indeksADMonline

Nysrete Kumnova mes lotësh: Liderët ta kushtëzojnë Serbinë, të na i kthejë familjarët e zhdukur

Nysrete Kumnova nga OJQ “Thirrjet e nenave”, ka shpërthyer në lot ndërsa po  apelonte që liderët kosovarë ta kushtëzojnë Serbinë, për t’ua kthyer familjarët e zhdukur tash e mbi 20 vjet.

Kumnova tha se nuk do të pushojnë së kërkuari drejtësi për kryesit e krimeve ndaj familjarëve të tyre, njofton Klan Kosova.

”Edhe sot nuk u fol për zbardhjen e familjarëve të pagjetur, ne si familjarë e vendosëm në rend të parë”.

”Secili duhet ta mendojë me shpirtin e vet. Sikur mos ta gjente fëmijën e tij as të gjallë as të vdekur, nuk e di qysh e kishin shty ditën apo natën”.

”Ne krejt natën zgjuar jemi, s’kemi gjumë, kemi stres, duhemi me u ruajt para fëmijëve të tjerë sepse edhe ata i kërkojnë prindërit, vëllezërit, motrat”.

”Po mundohemi të mbahemi. Që 20 vjet po marrim rrugën për Prishtinë me shpresë me pas diçka të re por të rejat për ne kanë vdekur. Por, shpresa vdes e fundit”.

”As nuk jemi ndal as nuk do të ndalem deri sa të më luan një damar i shpirtit, s’muj me u ndal”.

Mesazhi i nënave që del tym nga shpirti ynë është për institucionet e vendit. Të kërkojnë me ngulm nga Serbia që t’i kthejnë trupat që ende na mungojnë t’i kthejnë tek vendi i tyre që iu takon”.

”Ta kushtëzojnë Serbinë që të mos i mbajnë trupat tanë të familjarëve që na mungojnë. Krerët tanë ta mendojnë vetëm një herë nëse një natë nuk i vjen fëmija në shpi”.

”Bëjë apel tek institucionet e vendit që të mendojnë sikur në shpirtin e vet, që ta kushtëzojnë Serbinë, mos ta ledhatojnë – që t’i kthejnë trupat e më të dashurve tanë”.

”Së paku ta kenë vendin e vet, për lirinë e Kosovës kanë shkuar”.