16:46 / E Mërkurë, 05 Qershor 2019 / indeksADMonline

OAK dhe ATK të hapur për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin

Mungesa e bordit të ankesave, procedurat e regjistrimit të bizneseve, tatimi në qira, problemet gjatë inspektimit, lirimi i lëndës së parë dhe ligji për sponsorizim ishin disa nga temat kryesore të diskutimit në takimin e realizuar sot nga përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj.

Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi theksoi që gjatë takimeve të shumta me bizneset Oda ka identifikuar disa nga problemet me të cilat ato po përballen, e që janë në kuadër të ATK-së, andaj rritja e bashkëpunimit reciprok dhe krijimi i një vije komunikuese për zgjidhjen e problemeve të bizneseve është e domosdoshme. 

Sipas Krasniqit, çështjet kryesore të ngritura nga bizneset kanë të bëjnë me mungesën e Bordit të Ankesave dhe Gjykatës Ekonomike të cilat po krijojnë vonesa të shumta në procedura, detyrimi që biznesi të paguajë tatim për të tjerët siç është rasti tek qiraja dhe fermerët, i cili edhe pse i specifikuar mirë nga ligjet e ATK-së, bizneset ende po përballen me problem lidhur me pagesën e tij. 

Ai gjithashtu shtoi që është e domosdoshme të lirohet edhe lënda e parë e blerë brenda territorit të Kosovës, pasi që kjo po dëmton prodhuesit vendor, kontrollat nga ana e inspektorëve të mos bëhen vetëm në sezonë por edhe jashtë saj dhe se është e nevojshme të bëhet zbatimi i ligjit për sponzorizim.

Nënkryetari i bordit të OAK-së Arsim Selmonmusaj theksoi çështjen e informalitetit, të cilat po bëjnë që bizneset të mos trajtohen të barabarta në treg. Selmonmusaj gjithashtu shtoi që është i nevojshëm riaktivizimi i arkave fiskale tek bizneset e vogla dhe të mesme.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të bizneseve anëtare, të cilët ngritën disa nga problemet me të cilat po përballen, e që kanë të bëjnë me dënimet gjatë kontrollave nga inspektorët e ATK-së, aplikimin e ngarkesës së kundërt të TVSH-së për shërbime. Sa i përket bordit të ankesave drejtori i ATK-së theksoi se do të rregullohet me draftin e ri të ligjit dhe se është shumë e nevojshme pasi që do të jetë hallkë jashtë ATK-së dhe para Gjykatës Themelore.

Sipas tij qiiraja në qarkullim është e rregulluar shumë qartë me ligj dhe nuk e dëmton biznesin dhe se mbetet të rregullohet në bazë të marrëveshjes që arrin qiramarrësi dhe qiradhënësi, ndërsa lidhur me ligjin për sponsorizim Myrtezaj theksoi që ekziston një mospërputhje e ligjit të nxjerrë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me atë të ATK-së dhe se ATK-ja vazhdon të punojë me ligjet e saj, pasi që ky ligj në formën si është tani është i pazbatueshëm.