OBSH-ja u bën thirrje vendeve t’i rrisin taksat për duhanin, alkoolin dhe pijet me sheqer

Zyrtarët globalë të shëndetësisë po kërkojnë që shtetet evropiane të rrisin taksat për produktet që dëmtojnë shëndetin – si duhani, alkooli dhe pijet me sheqer – për të frenuar sëmundjet kronike dhe për të siguruar më shumë të ardhura për sistemet shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje qeverive që të rrisin çmimet e këtyre produkteve të paktën me 50% gjatë dekadës së ardhshme. Sipas saj, një masë e tillë mund të parandalojë 50 milionë vdekje të parakohshme në 50 vjetët e ardhshme dhe të gjenerojë rreth 1 trilionë dollarë (rreth 854 miliardë euro) për buxhetet publike në dekadën në vijim, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Duhani, alkooli dhe pijet me sheqer janë faktorë kyç në shfaqjen e sëmundjeve si kanceri, diabeti dhe sëmundjet e zemrës, që shkaktojnë rreth 75% të të gjitha vdekjeve në botë. Vetëm duhani vret mbi shtatë milionë njerëz çdo vit.
OBSH-ja ka rekomanduar prej kohësh rritjen e taksave si mënyrë për të frenuar konsumin e këtyre produkteve. Për duhanin, ajo rekomandon që taksat të përbëjnë të paktën 75% të çmimit të paketës. Në vendet e pasura kjo përqindje është rreth 67%, ndërsa në vendet me të ardhura më të ulëta, rreth 57%.
“Taksa shëndetësore janë një nga mjetet më efikase që kemi,” tha dr. Jeremy Farrar nga OBSH-ja. “Ato ulin konsumin e produkteve të dëmshme dhe krijojnë të ardhura që mund të investohen në kujdes shëndetësor, arsim dhe mbrojtje sociale”.
Shembuj nga Holanda tregojnë se taksat më të larta nuk mjaftojnë gjithmonë – shumë qytetarë filluan të blejnë cigare më të lira jashtë vendit. Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, taksa ndaj sheqerit në vitin 2016 bëri që prodhuesit të ndryshojnë përbërjen e pijeve dhe të ulet ndjeshëm sasia e sheqerit që konsumojnë fëmijët.
OBSH-ja thekson se për vendet me të ardhura të ulëta, këto taksa mund të kompensojnë mungesën e ndihmave ndërkombëtare dhe rritjen e borxhit publik.