19:15 / E Enjte, 10 Qershor 2021 / OSH

OBSH: Varianti shumë ngjitës i COVID-19 mund të përhapet gjerësisht në Evropë

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi sot se shkalla e vaksinimit në Evropë është ende larg nivelit të duhur për të penguar përhapjen e virusit ndërsa u bëri thirrje vendeve që të mbajnë në fuqi masat mbrojtëse.

Drejtori për Evropën në OBSH, Dr. Hans Kluge, paralajmëroi se varianti shumë ngjitës i COVID-19 i identifikuar për herë të parë në Indi pritet të përhapet në rajon, ndërsa shumë vende përgatiten të lehtësojnë kufizimet dhe të lejojnë grumbullimet e njerëzve dhe udhëtimet përtej kufijve.

“Nga kjo javë, 36 nga 53 vende po lehtësojnë kufizimet për shkak të uljes së rasteve të COVID-19. Ndërsa të gjithë duan të gëzojnë përparimin e bërë në shumicën e vendeve në rajon, duhet të pranojmë gjithashtu se nuk e kemi kalur rrezikun”, tha ai.

Zoti Kluge tha se varianti që njihet me emrin ‘delta’, ka treguar se është rezistent ndaj vaksinës ndërsa shtoi se veçanërisht qytetarët mbi moshën 60 vjeçare janë ende të pambrojtur.