09:32 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / Blerim

OEAK dhe OEK mirëpresin përafrimin e qëndrimeve politike rreth projektligjit për rimëkëmbje ekonomike

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës mirëpresin përafrimin e qëndrimeve politike për kalimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, si përgjigje në thirrjet e vazhdueshme të përfaqësuesve të sektorit privat.

Plotësimi i projektligjit me rekomandime të mëtejme si dhe shtimi i vlerës monetare së përkrahjes financiare ndihmon në adresimin më proporcional të kërkesave të bizneseve dhe dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Prandaj, OEAK-ja dhe OEK-ja u bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mbështesin projektligjin në seancën e nesërme kur projektligji pritet që të votohet në lexim të dytë.

Njëherësh, të dyja odat ekonomike kërkojnë që sa më shpejt të jetë e mundur të kryhen përgatitjet e platformave përkatëse si edhe të përpilohen kriteret për shpërndarjen e përkrahjes financiare dhe zbatimin e masave të tjera të parapara me projektligj, në mbështetje të qytetarëve dhe ndërmarrjeve.