15:08 / E Premte, 13 Janar 2023 / S Z

OFK përkrahë fuqishëm Projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave!

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), ku është shqyrtuar Projektligji për rregullimin e çmimit të barnave si dhe komentet e përgatitura më herët, nga kryesia unanimisht u votua për përkrahje të fuqishme të kësaj reforme, të cilën komuniteti i farmacisë e pret tashme shumë vite.

“Megjithatë ne si Këshill drejtues kemi disa komente teknike dhe profesionale, të cilat duhet të analizohen me kujdes nga grupi punues, e posaçërisht marzhat e parapara pasi janë jetike në funksionimin afatgjatë të sektorit farmaceutik, si me shumicë ashtu edhe me pakicë”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu sa i përket çështjes së Autorizimit për Marketing, ne si Institucion profesional theksojmë se kjo është një nga kërkesat detyruese para se një produkt të lejohet të vendoset në përdorim në një (secilin) vend të caktuar. Marrjes së certifikatës së Autorizimit për Marketing i paraprin një vlerësim i kujdesshëm i dosjes së produktit, me të cilin do të dëshmohet cilësia, siguria dhe efikasiteti. Pastaj procedurat e ndryshme se si kjo kryhet janë të përcaktuara me legjislacionin përkatës. Në të kundërtën mund të rrezikohet rëndë shëndeti publik i popullatës”, thuhet në njoftim.