17:17 / E Mërkurë, 23 Qershor 2021 / AR

OKB jep alarmin: Njerëzimi rrezikon zhdukjen nga ngrohja globale

Gati 5000 shkencëtarë dhe ekspertë morën pjesë në publikimin e raportit më të fundit për klimën. Skenarët e mundshëm të skicuar nga Këshilli i Klimës Botërore dëshmojnë se reduktimi i gazrave të efektit serë përbën një çelës të rëndësishëm për të kufizuar pasojat e tranformimit klimaterik.

Me 2 gradë më shumë në vend të 1,5, gati 420 milionë persona do të përballeshin me “valë të nxehti ekstrem”, dhe 80 milionë të tjerë do të kërcënoheshin nga uria. Draft-raporti i grupit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike pranë Kombeve të Bashkuara, është alarmues.

“Jeta në Tokë mund ta marrë veten nga ndryshimet drastike të klimës duke evoluar perms specieve të reja e duke krijuar të tjera ekosisteme, por njerëzimi jo”, vazhdon drafti. Raporti prej 4000 faqesh, është shumë më shqetësuese se ai i mëparshmi i 2014-tës dhe synon të ndikojë mbi vendimet e ardhshme politike me shpresën të ketë hapa konkretë.

Do të ketë “ pasoja të pakthyeshme mbi njerëzimin”.Jeta në Tokë sic e njohim ne do të transformohet në mënyrë të pashmangshme nga ndryshimi i klimës kur fëmijët e lindur në 2021-shin të kenë mbushur 30 vjeç, e ndoshta edhe më përpara, paralajmërojnë ekspertët. Cilidoqoftë niveli i reduktimit të gazeve shkaktare të efektit serë, ndikimi shkatërrues i ngrohjes globale mbi natyrën dhe njerëzimin do të shpejtohet, thuhet në raport, dhe do të bëhet i prekshëm që përpara 2050-tës.