75 Mall Live Search
12:19 / E Diele, 03 Nëntor 2024 / L K

OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luftën e 2006-ës

Kombet e Bashkuara kanë thënë se situata humanitare në Liban është më e keqe sesa gjatë luftës së fundit kundër Izraelit, 18 vjet më parë.

“Situata humanitare në Liban i ka tejkaluar nivelet e ashpërsisë së luftës më 2006”, ka thënë Zyra e OKB-së për Ndihmë Urgjente (OCHA) të dielën.

“Situata është përshkallëzuar sërish në ditët e fundit, ushtria izraelite është duke lëshuar urdhra për zhvendosje të banorëve nga Baalbek dhe Nabatieh, pak para se të sulmohen këto lokacione”.

Zyra e OKB-së ka thënë se përveç të vdekurve, situata është vështirësuar edhe nga “shkatërrimi i infrastrukturës kritike, përfshirë kujdesin shëndetësor, meqë shumë spitale janë të mbingarkuara dhe kanë nevojë urgjentisht për gjak”.

Lufta aktuale mes Izraelit dhe Hezbollahut – grup të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – ka nisur në tetor të vitit të kaluar.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka nisur të sulmojë Izraelin, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin – po ashtu të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.