19:40 / E Mërkurë, 28 Nëntor 2018 / k.v

Olluri: Rasti i Birra Peja dëshmon për barrierat që i bëhen kosovarëve në Shqipëri

Drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri ka ngritur shqetësimin për barrierat që i ngriten bizneseve kosovare të cilat eksportojnë prodhimet e tyre në Shqipëri.

Olluri, i ftuar në emisionin Click të Radiotelevizionit 21 për të diskutuar lidhur me mbledhjet e dy qeverive, ka theksuar një rast të veçantë me biznesin “Birra Peja”, aktiviteti i së cilës është tentuar të pengohet nga birraritë shqiptare dhe shoqata e prodhuesve të birrës në Shqipëri.

“Biznesmenëve të Kosovës iu bëhen barriera të mëdha në Shqipëri. Barriera banale”, është shprehur Olluri. “Është rasti i Birra Peja që e ilustron këtë. Në momentin kur ka hy në treg atje mediat e afërta me birraritë në Shqipëri i janë vërsulur. Është akuzuar nga shoqata e prodhuesve të birrës në Shqipëri e cila udhëhiqet nga pronari i Birra Stela.”

Drejtori i Gazetës Online Insajderi ka thënë se në këtë rast ishte përfshirë edhe shteti shqiptar, përmes Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Vetëm për të penguar biznesmenët e Shqipërisë e kanë detyruar Kontrollin e Lartë të Shtetit në Shqipëri për ta hetuar Birra Pejën. Në Shqipëri ideojnë skema të llojllojshme për të penguar prodhuesit e Kosovës”, ka thënë Olluri.

Olluri ka thënë se “për këtë arsye nuk besoj se mbledhjet e dy qeverive do të përmirësojnë situatën”. Ka thënë se këto mbledhje janë vetëm politike.

Temat: