21:14 / E Shtunë, 03 Dhjetor 2022 / MSH

Onkologjia pa ilaçe për kancerin, pacientëve u shtyhet trajtimi ose detyrohen t’i blejnë!

Pacientët të cilët janë diagnostikuar me sëmundjen e kancerit, përveç luftës me sëmundjen, shpesh herë përballen dhe me mungesë të medikamenteve, të cilat u duhen për trajtim. E klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), herë pas here ka mungesë të barnave, me të cilat duhet t’i trajtojë këta pacientë.

Që një javë kjo klinikë ka mungesë të disa llojeve të barnave, ndër të cilat dhe Trastuzumab apo Herceptina, e cila përdoret për trajtim të kancerit të gjirit, e e cila ka një kosto të lartë.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë Arben Bislimi në një intervistë për “IndeksOnline”, thotë se gjatë këtij viti klinika që ai drejton, ka pasur mungesë të herë pas hershme të medikamenteve.

“Mungesa e Herceptines është, ka gati një javë, jo më tepër se një javë. Dhe pikërisht për këtë shumë po shpresojmë se do të furnizohemi javën e ardhshme dhe do të jemi stabil deri diku kah mesi i janarit. Gjatë këtij viti nuk është që s’kemi pasur probleme të herë pas hershme. Mungesa të medikamenteve të grupeve të ndryshme, qoftë atyre citostatikë, qoftë atyre të imunove target.  Ndoshta në periudha të caktuara kemi qenë mirë. Pastaj një periudhë prapë kemi pasur probleme, por deri diku jemi mbajtur”, tha ai.

Ndërsa thotë se janë duke u munduar që ta plotësojmë këtë boshllëk dhe se gjendja me furnizim me këto medikamente të cilat mungojnë, të stabilizohet deri kah mesi i janarit të vitit të ardhshëm.

“Deri para një jave e kemi pasur listën të plotësuar mbi 80 për qind të furnizimit me medikamente të Listës Esenciale. Tash prapë kemi filluar të çalojmë në disa, në diku 6, 7 prej tyre. Por lajmi i mirë është se prej disa prej tyre, ndoshta dhe të gjitha do të furnizohemi prapë gjatë dhjetorit dhe një pjesë në gjysmën e janarit, që të mund ta kompenzojmë këtë boshllëk të mungesës së këtyre medikamenteve”, tha ai.

E pacientët në mungesë të këtyre medikamenteve detyrohen që ta shtyjnë trajtimin e tyre, derisa klinika të furnizohet. E në raste kur furnizimi me barna zgjatë më shumë, atëherë pacientët detyrohen t’i blejnë vetë ato, pavarësisht kostos së lartë që kanë.

 “Ne bëjmë një marrëveshje gjentellmene shpesh herë me pacientet aty ku mundemi. Aty ku lejohet aty ku na lejon dhe indikacioni dhe sëmundja dhe të gjitha, që të bëjmë një pritje afër një javë dhe që ata të mos dëmtohen në aspektin material, që t’i kompensojnë ato vet. Por ka raste dhe kur i blejnë. Kjo reflekton gjithmonë në punën tonë. Çdo mungesë e çdo medikamenti që e kemi në listë e që mungon, kjo automatikisht reflekton dhe në punën tonë të përditshme të menaxhimit dhe trajtimit të këtyre pacienteve. Duke pasur parasysh koston e lartë dhe mundësitë ekonomike të familjeve tona në përgjithësi në vendin tonë”, pohoi Bislimi.

Bislimi thotë se shtyrja e trajtimit për një javë nuk paraqet ndonjë problem për shëndetin e pacientëve. Ndërsa përkundër mungesës së këtyre barnave Klinika sipas tij, ende është në binarë të menaxhimit të sëmundjes. Por nëse kjo mungesë do të zgjaste dhe më tej ?

“Kjo është diçka tjetër. Por akoma jemi  në binarë të menaxhimit të sëmundjes. Derisa jemi vetëm një javë, afërisht një javë pa furnizim” tha ai.

Ndërkaq nuk e mohon që pacientët i blejnë barnat pavarësisht çmimit të tyre, kur ato mungojnë. Thotë se stafi shëndetësor është aty për të ofruar shërbime për pacientë.

“Ne japim shërbime. Ne nuk ia kufizojmë shërbimin pacientëve. Në momentin që mungon një medikament për një arsye apo tjetër vonesat e ndryshme procedurale, ka mundësi dhe ashtu. Ose kur harxhohen dhe nuk arrijnë të liferohen me kohë, ne prapë ua japim mundësinë pacientëve që të marrin shërbime tek ne edhe nëse i blejnë, pak ka rëndësi. Ajo e merr njëjtë. Shërbimi kryhet vetëm që është detyruar ta blejë ilaçin, aty është defekti”, tha ai.

E në raste kur këto barna mungojnë për një kohë të gjatë, pacientët detyrohen vetë të bëjnë zgjidhje, t’i blejnë ato me çmime sado të larta, pasi që përballen me një sëmundje të rrezikshme për jetën.

Derisa këto barna si “Herceptina” nuk lejohen të shitet në tregun tonë dhe se me to mund të furnizohet vetëm QKUK-ja, ato mund të gjinden fare lehtë dhe në barnatoret tona .

 Këto mund të porositen në disa nga barnatoret jo larg QKUK-së me çmime shumë të larta. “IndeksOnline” ka kërkuar ilaçin “Herceptinë” në barnatore dhe ka kuptuar që ai mund të sigurohet fare lehtë. Vetëm se çmimi nuk ishte i njëjtë. Për të pritur disa ditë këtë ilaç, mund ta marrësh me një çmim prej 500 euro. E nëse sigurimi i tij të duhet urgjent,  atëherë pacientët duhet të paguajnë rreth 1 mijë euro.

“Tek ne mund ta porositësh por vonon disa ditë. Por çmimin e ka 500 euro. Ndërkaq që të duhet më shpejtë e ke një vend tjetër, ama aty çmimi është dyfish më i lartë, kushton 1 mijë euro “, na u tha në njërën nga barnatoret në kryeqytet.

Ndërkaq një mjek brenda QKUK-së në kushte anonimiteti i ka thënë “IndeksOnline” se mjekët janë të detyruar tu thonë pacientëve t’i sigurojnë barnat për trajtim të kancerit, kur ato mungojnë në QKUK, pavarësisht sa kushtojnë ato.  Sipas tij kohë më parë pacientët janë detyruar që për t’i siguruar këto barna të shkojnë në  Graçanicë dhe në Serbi, por tani  e kanë më të lehtë, pasi që të paktën ato i gjejnë në Kosovë.

“Është mirë që disa nga barnatoret tek ne tani i kanë këto barna si Citostatikë e Herceptinë. Pasi që pacientët të paktën nuk duhet të udhëtojnë në Serbi apo Graçanicë,  për t’i siguruar ato, ashtu siç kanë bërë kohë më parë. Janë detyruar të dalin dhe jashtë Kosovës për t’i blerë” , tha ai./IndeksOnline/