18:58 / E Hënë, 02 Tetor 2017 / indeksADMonline

Operacion ndërkombëtar antidrogë

Policia greke, shqiptare dhe italiane u përfshinë në një operacion ndërkombëtar antidrogë, duke sekuestuar në afërsi të Otrantos një gomone me 712 kg lëndë narkotike marijuane.

Sipas burimeve policore shqiptare gjatë operacionit janë kapur në bord të gomones edhe 3 skafistët nga Shqipëria. Sipas burimeve shqiptare Policia Kufitare Greke njoftoi Policinë shqiptare për një gomone që dyshohej se po trafikonte lëndë narkotike nga Greqia për në Itali.

Më pas mjete të rojës bregdetare italiane kanë arritur ta zbulojnë mjetin afër brigjeve të Otrantos. Ky rajon është sipas policisë italiane një nga portat kryesore të drogës. Sipas një raporti të Antidrogës italiane gjatë vitit të shkuar pjesa më e madhe e marijuanës së sekuestruar në Itali ishte përmes hapësirës detare.

Sipas raportit, rreth 13,6 tonë marijuanë u sekuestruan në vitin 2016 ndërsa në vitin 2015 ishin sekuestruar vetëm 2,9 tonë e bllokuar në det. “Në raport me vendet e origjinës së marijuanës, vlerëson Raporti i Antidrogës italiane per vitin 2016, sasitë më të mëdha të marijuanës së sekuestruar ishin me origjinë nga Shqipëria (9.6tonë), nga Greqia (900 kg) dhe Spanja (112kg), ndërsa në mes të kombësive të përfshirë në trafikim nga deti, përmenden italianët ( 26 raste trafiku të raportuara) dhe shqiptarët ( 24 raste të raportuara).

Trafiku i lartë i marijuanës vijoi përmasat edhe gjatë këtij viti ku tonelata me lëndë narkotike janë bllokuar në brigjet italiane. Policia shqiptare ndërmerr herë pas here operacione kontrolli në shkallë të gjerë sidomos në ato zona të dyshuara për trafik por në të shumtën e rasteve trafikantët kanë arritur ti shpëtojnë arrestimit./VOA