15:47 / E Premte, 17 Nëntor 2023 / C E

Opojanët Fahri Musliu e Valmir Tertini “ringjallen” aktorin Bekim Fehmiu

Shkruan: Demir Reshiti

Dy personalitete të spikatura opojane, Fahri Musliu dhe Valmir Tertini na e sollën të enjten në celuloid aktorin shqiptar me përmasa botërore, Bekim Fehmiun përmes një filmi të gjatë dokumentar i cili u shfaq në kinemanë “ABC” në Prishtinë, aty ku aktori i madh pinte kafe dhe takohej me miqtë e tij sa herë që vinte për pushime. Pas Tiranës dhe Prizrenit, Prishtina ishte qyteti i radhës ku u shfaq filmi.

Ky projekt ka qenë ide e kamotshme e publicistit dhe gazetarit opojan, Fahri Musliu, i cili krahas librit monografik kushtuar yllit shqiptar i kinematografisë botërore, Bekim Fehmiut, ka shkruar edhe skenarin për këtë film dokumentar të metrazhit të gjatë. Ndërkaq, regjinë e këtij filmi e ka bërë një opojan tjetër, përkatësisht regjisori i mirënjohur Valmir Tertini, fitues i një mori çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare nga fusha e kinematografisë.

Për t’i nderuar këto dy personalitete të rëndësishme të kulturës, kishin ardhur një numër i konsideruar opojanësh që jetojnë në Prishtinë por edhe nga Prizreni e Opoja…

Dokumentari që zgjat 66 minuta, është xhiruar në 6 shtete, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kroaci dhe Itali. Dokumentari nis me vdekjen duke zbuluar të vërtetat e vetëvrasjes, pastaj lindja e deri tek kulminacioni i tij, shkëlqimi dhe rolet e mëdha.

Në dokumentar rrëfehen shumë figura të njohura. Vëllai i tij tregon rrënjët e familjes, Bekimin si fëmijë, si student e deri tek kulmi i tij prej një aktori të njohur ndërkombëtarisht. Bashkëshortja e tij Branka flet për dashurinë, për karakterin e tij përkushtimin… Pastaj kolegët rrëfehen për momente specifike si Timo Flloko, Piro Milkani, Enver Petrovci, Goran Markoviç, Roza Anagnosti, etj. Rrëfimet ekskluzive nga vëllai, gruaja, shokët, kolegët, bashkëpunëtoret e tij, e tregojnë Bekimin siç ishte në të vërtetë, që nga lindja, kulminacioni, veset e tij e deri tek vdekja.

Bekim Fehmiu i lindur në Sarajevë më 1 qershor 1936, vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd, duke bërë vetëvrasje. Ai mbeti ndër të vetmit aktor shqiptar i cili arriti të luajë në filma dhe seritë më të njohura botërore, sikurse në serinë “Odiseu”, filmat: Aventurierët”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, etj.

Filmi dokumentar për Bekim Fehmiun do të ketë edhe disa premiera të tjera në vendet ku është xhiruar, po ashtu është planifikuar të shfaqet edhe në Nju Jork për artdashësit shqiptar dhe të huaj. Ky film pritet të jetë pjesë e festivaleve të ndryshëm prestigjiozë mbarëkombëtarë.

Biografi e shkurtër për skenaristin Fahri Musliu dhe regjisorin Valmir Tertini

Fahri Musliu ka lindur më 1948 në fshatin Zaplluxhe të Opojës, ku ka kryer shkollimin fillor. Gjimnazin e ka kryer në Prizren, ndërsa studimet për gazetari në Beograd, ku edhe ka jetuar e punuar për rreth katër dekada. Me gazetari ka filluar të merret qysh më 1968, si bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja” dhe i radio Prishtinës. Në vitin 1985 ka filluar punën si korrespodent i rregullt nga Beogradi i gazetës “Rilindja”. Bashkëpunoi edhe më shumë gazeta e revista tjera shqipe në Kosovë, si dhe me gazetat “Borba”, “Nasha Borba” e “Danas” të Beogradit dhe “Vjesnik” të Zagrebit. Prej majit të vitit 1993 –2005 ka punuar si korrespondenti seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” nga Beogradi, kurse në qershor të vitit 2005 kalon në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) si korrespondent i rregullt nga Beogradi, ku punoi deri në pensionim më 2013. Gjatë kësaj kohe, nga 2008-2012 bashkëpunoi edhe me redaksinë shqipe të Radios BBC. Përveç me gazetari, merret edhe me publicistikë dhe përkthime.

Librat e botuar: “Tunelet e tmerrit” (bashkautor me Ibrahim Osmanin), Prishtinë. 1992; “Gjykimet e pengjeve” -2002, Prizren; dhe serbisht “Montirani procesi protiv kosovskih Albanaca” (Proceset e montuara kundër shqiptarëve të Kosovës), Beograd, 2007; “Zyber Kryeziu – Baca, atdhetar i paepur i Opojës”, Prizren, 2006; “Ditari i një shqiptari në Beograd” (Janar – Qershor 1999), Prizren, 2006, dhe serbisht (Dnevnik Albanca u Beogradu), më 2007; “Shthurja e nyjës së Kosovës – shikimi nga dy anë” (bashkautor me Dragan Bajnac), (shqip, serbisht, anglisht), Beograd, 2005; “Masakra e Suharekës” (shqip në Prizren e serbisht në Beograd), 2010; “BEKIM FEHMIU – Odiseu i Kosovës”, Prizren, 2015 dhe botimi i dytë i plotësuar, 2021; “Më quajnë Bekim Fehmiu” (libërth), biografi e shkurtër me ilustrime e aktorit Bekim Fehmiu, Albas, Tiranë, 2022; “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd (Janar-qershor 1999)”, 2023; dhe “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)”, 2003.

Valmir Tertini regjisor filmi, fitues i disa çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare për filmat e tij, është i lind në Gjakovë më 26 prill 1993. Është i biri i Xhelil Tertinit nga fshati Kosavë i Opojës. Në Gjakovë Valmiri përfundoi shkollën fillore dhe të mesme. Studimet e larta për arte mediale i përfundoi në Prishtinë dhe masterin për regji filmi dhe televizioni pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Ka qenë pjesë e trajnimeve në Stamboll për televizion, Beograd, Tiranë, Bruksel, Berlin mbi artin e shtatë e deri në forumin e filmit në Nju Jork. Ka marrë pjesë në sheshxhirimin e serialit Blindspot nga Jaimie Alexander në Times Square. Është themelues i projektit edukativ për të rinj SKENA. Drejtues i MediaClub në World Academy of Tirana dhe drejton departamentin audiovizual në Hospitality & Tourism Academy. Valmiri njihet me filmat e tij me tema të guximshme si “Vulë” për punonjësen e pandërgjegjshme të ambasadës në Kosovë, i cili ka sjell 13 çmime ndërkombëtare, i shfaqur në më shumë se 60 festivale filmi. Pastaj filmi “Tradhti me letra” për martesat për dokumentacione, i cili ka sjell 11 çmime. Pas dokumentarit të gjatë artistik për Bekim Fehmiun, puna e tij tashmë është e fokusuar te një tjetër projekt me kinemanë. Valmir Tertini është profesor i filmit në “World Academy of Tirana”. Kohë më parë Valmir Tertini u bë anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit.

Ka botuar dhjetëra artikuj, analizë e kritikë filmi në gazeta në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ka qenë anëtar i jurisë në tri festivale filmi në Indi. Valmiri është autor i videoprojektit POeZI. Fitues i 31 çmimeve, prej tyre 28 ndërkombëtare.

Filmografia: Filmi, “Çaj rusi” (2012) fitues i 2 çmimeve; “Tyrbe lez” (2013) i prezantuar në disa festivale; Dokumentari “Elektricisti i nëntokës” (2015) fitues i 7 çmimeve; Filmi “Tradhti me letra” (2016) fitues i 11 çmimeve; Filmi “Vulë” (2019) fitues i 11 çmimeve dhe tash së fundi filmi dokumentar i metrazhit të gjatë mbi jetën dhe veprën e aktorit Bekim Fehmiu.

Librat e publikuara: “Por” libërfilm me poezi (2011); “Unë si unë” në shqip dhe “Me as myself” në anglisht, liber me poezi (2013); “Arte Mediale” eseistikë për fotografinë, filmin dhe televizionin (2014); “Kosovafilm” një libër kushtuar Kosovafilmit, i shkruar ne 2016, i shtypur ne (2019); “Filmbërja” etapat e filmit (2019) dhe “Fjalori filmik” (2021).