15:32 / E Martë, 27 Nëntor 2018

Opozita me kërkesë për Qeverinë e Kosovës pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave veriore

Derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur të mos deklarohet në lidhje me dorëheqjen e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, opozita e quan si gjendje të jashtëzakonshme e po ashtu këta të fundit kërkojnë nga Qeveria që të kenë një plan pas dorëheqjeve në veri.

Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, kryetarja  Albulena Haxhiu ka kërkuar nga anëtarët e komisionit që të diskutohet çështja e dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri.Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa në lidhje me këtë, u shpreh se  duhet të merren informata zyrtare nga akterët kryesorë, e jo të merren siç u shpreh ai, me informata të portaleve.Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi , tha se Qeveria në momentin kur ka marrë veprime, do të duhej të kishte planin se si të vepronte në rastin ndaj kundërveprimeve të Serbisë.

Gjendja të jashtëzakonshme e ka quajtur këtë të kohëve të fundit, deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi. Ai ka kërkuar nga skena politike që të jenë të unifikuar.

Në mbledhjen e komisionit për Legjislacion është aprovuar,  shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Ndërsa, sa i përket shqyrtimit të raportit me amendamente të Komisionit Funksional për Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, është shtyrë në mbledhjen tjetër të komisionit.Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për sponzorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Mos i humb