11:01 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / S Z

ORCA: Dështimi i zgjedhjes së Bordit të Agjencisë së Akreditimit shqetësues dhe i rrezikshëm

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim  (ORCA) ka reaguar për dështimin e zgjedhjes së Bordit të Agjencisë për akreditim, duke e quajtur këtë si diçka të rrezikshme dhe shqetësuese.

“Dështimi i procesit 5 mujor për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Agjencisë së Akreditimit, i cili ka filluar në shkurt të këtij viti, është shqetësues dhe i rrezikshëm për akreditimin si proces dhe Agjencinë e Akreditimit si bartëse të tij . Më datë 24 maj 2023, ORCA ka mbajtë konferencë për shtyp ku kemi tregu se përgjatë konkursit, janë shënuar disa parregullsi të qëllimshme nga ana e Ministrisë, megjithatë një që është me rëndësi lë hapësirë për dyshime serioze. Anëtarët e KShC-së duhet të vijnë nga 4 fusha studimi. Por, Ministria me rastin e shpalljes së konkursit ka bërë një rigrupim të çuditshëm në shpërputhje flagrante me Udhëzimin Administrativ”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas ORCA-s konkursi është shpallur me vetëm 3 fusha, duke bashkuar në një fushë artet me drejtësi.

” Ka vetëm një shpjegim se për çka do të mund të shërbente ky lloj bashkimi. Kjo do të krijonte hapësirë që në cilëndo nga fushat të merren dy persona të të njëjtës fushë. Pra, dikush, në një nga fushat ka qenë tashmë favoriti i Ministrisë. Duke qenë se Ministri obligohet sipas Udhëzimit Administrativ që të zgjedhë nga një listë e ngushtë që ia ofron një komision ad hoc përzgjedhës, e vetmja mënyrë për të mos u vërejtur favorizimi në rast të ndonjë diskrepance mes kandidatit favorit të Ministrisë dhe ndonjë kandidati tjetër më meritor, është nëse merren dy kandidatë në një fushë. Kësisoj të gjitha palët do të mbesnin të kënaqura. Edhe do të përzgjidhej favoriti i Ministrisë edhe monitoruesit e procesit do të ishin të kënaqur me zgjedhjen e kandidatit më meritor”, thueht në reagimin e ORCA-s.

Ky sipas ORCA-s  nuk ka qenë “lëshimi” i vetëm i qëllimshëm, pasi që sipas tyre në komision përzgjedhës është përcaktuar një organizatë, që në të kaluarën ka zhvilluar praktika të dyshimta, ani pse në fushën e arsimit të lartë punojnë disa organizata që kanë ofruar përfaqësuesin e tyre, i cili u refuzua pa asnjë shpjegim.

“Dje në mbledhjen e qeverisë me kërkesën e Ministres e cila tha se deri më datën 23 maj nuk kishin pasur vërejtje, pas identifikimit të “lëshimeve teknike”, u propozua përsëritja e procesit. Kjo rrezikon seriozisht kredibilitetin e procesit të akreditimit të programeve si dhe regjistrimin e studentëve brenda kuotave të caktuara të studentëve në fillimin e vitit akademik. Po ashtu, lënia e Agjencisë pa bord vendimmarrës për një kohë kaq të gjatë dëmton imazhin e Agjencisë e cila po bën përpjekje për kthim në ENQA nga ku është përjashtuar për shkak të ndërhyrjeve politike”, thuhet në reagim.

Në prapavijë të këtij dështimi, sipas ORCA-s, Ministria e Arsimit ka nisur procedurën për ndërrimin e Udhëzimit Administrativ për akreditim me anët të të cilave ndryshime synohet që t’u lejohet institucioneve private të arsimit të lartë, akreditimi i programeve edhe pa pasur bartës me doktoratura për programet e akredituara. Krejt kjo sipas ORCA-s, po bëhet duke e maskuar këtë zgjatje të afateve në pako bashkë me fushat e studimit të gjuhës boshnjake, turke dhe gjuhës së shenjave ku me të vërtetë ka deficit në kuadra.

ORCA kërkon përgjegjësi për dështimin e procesit të zgjedhjes së bordit të Agjencisë së Akreditimit dhe i kërkon Qeverisë të tërhiqet nga ndryshimi i rregullatives që ka për qëllim  lehtësimin e akreditimit për institucionet private të arsimit të lartë.

“Kjo saboton universitetin publik i cili ka shpenzuar mund dhe para të taksapaguesve për t’i siguruar bartësit me doktoratura ashtu që të mund t’i akreditojë programet e veta”, thuhet në reagim.

.