14:04 / E Enjte, 10 Shkurt 2022 / OSH

Orteku i borës në Brezovicë, deklarohet Policia e Kosovës

IndeksOnline pak më parë raportoi se një ortek bore ka rënë në pistën e Skijimit në Brezovicë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, për IndeksOnline ka thënë se ende nuk dihet nëse ndonjë person ka pësuar lëndime si pasojë e ortekut.

Veseli bëri të ditur se për rastin është njoftuar Njësia e Shpëtimit-Kërkimit të FSK-së dhe ekipet e policisë janë duke u ngjitur te vendi ku ka rrëshqitur orteku.

“Në ora 13:10 polciia ka pranuar një informacion që ka rënë një ortek i borës, tek pista e skijimit.

Tani për tani nuk kemi ndonjë informacion se ka ndonjë të lënduar. Policia ka njoftuar Njësinë e Shpëtimit-Kërkimit të FSK-së, ekipet e policisë janë atje dhe po provojnë të ngjiten në vendin ku ka rënë orteku”, tha ai.

Në pamjet që ka siguruar IndeksOnline shihet se ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët janë duke gërmuar borën mbi ortek.

Ndryshe, ditë më parë ekipet e kërkim-shpëtimit kishin paralajmëruar se mund të ketë lëshim të ortekëve për shkak të reshjeve të borës.

“Pas reshjeve të fundit të borës të përcjellura me erëra të forta, disa pjesë në zonat malore të rajonit tonë  kanë rrezik potencial për lëshimin e orteqeve. Sidomos faqet e drejtimeve gjeografike: perëndim, veri perëndim dhe disa drejtime të tjera që kanë qenë nën ndikimin e faktorëve të lartpërmendur”, thuhej në komunikatë. /IndeksOnline/