10:55 / E Hënë, 09 Janar 2023 / S Z

Ortopedia pa proteza dhe pa anesteziolog, pacientët nga viti 2018 në listë të pritjes për proteza

Mungesa e protezave, e po ashtu dhe mungesa e anesteziologëve, ka bërë që pacientët të presin me vite, për ndërhyrje kirurgjike në Klinikën e Ortopedisë. Kjo klinikë tani ka filluar ndërhyrjet për proteza nga lista e pritjes e vitit 2018. Pacientët janë të detyruar të presin tri apo katër vite për vënien e një proteze në QKUK. Ndryshe ata duhet të shkojnë në spitale private, e të paguajnë shuma të majme parash, për të kryer këtë ndërhyrje kirurgjike.

Ortopedi Pleurat Sejdiu thotë për “IndeksOnline” se në Klinikën e Ortopedisë tani kanë filluar operimet nga lista e vitit 2018, pasi që klinika është e mbingarkuar, ka mungesë të protezave dhe po ashtu dhe mungesë të anesteziologëve.

“Kam qenë pjesë e komisionit për analizimin e listës së pritjes dhe propozimi për ndërmarrjen e masave që ajo listë e pritjes të zvogëlohet. Flasim për çështjen e protezave të gjurit , protezave të kërdhokullës dhe çështjes së artroskopisë ligamenteve dhe minisqeve. Ku tani ne kemi filluar të operojmë listën nga viti 2018. Do me thanë është çështje 4 vitesh, pasi që gjatë pandemisë nuk është operuar mjaftë. Klinika është e mbingarkuar me pacient të traumës. Kemi vetëm dy, rrallë herë 3 anesteziolog. Kemi mungesë të protezave, sepse Qeveria me atë buxhet që ka mund të blejë 100 proteza në vit dhe ne kemi hyrje në listën e pritjes diku 200 deri 250 në vit. E kemi minusin menjëherë, plus mungesat e herëpashershme të materialeve që e bllokojnë e stopojnë punën e këtyre operacioneve dhe automatikisht rritet koha e pritjes”, tha ai.

Sejdiu thotë se në shumë vende ka lista të pritjes për ndërhyrje të tilla kirurgjike, por se është e tepërt që pacientët të presin katër vjet për një ndërhyrje të tillë. Ai madje thotë se e gjithë kjo bënë që pacientët të cilët kanë mundësi të drejtohen në klinika private. Ndërsa shumica nga ta nuk kanë mundësi financiare  dhe detyrohen të presin me vite, që këtë operim ta kryejnë në QKUK.

“Ne e kemi bërë një plan e kemi dorëzuar, atëherë ish drejtorit Krasniqi me plan se çka duhet të bëhet në të gjitha lëmit edhe në ortopedi, çka duhet për tu zvogëluar kjo listë ndjeshëm, por nuk ka asnjë lëvizje. Tek ne katër vjet është pak e tepërt, ajo e  ka një kosto të madhe sa i përket sektorit privat dhe e dimë fare mirë gjendjen e popullatës sonë..Ata që kanë mundësi dhe ne e dimë fare mirë se as një e treta e tyre në maksimum, se kanë mundësinë që të orientohen në spitalet private”, ka pohuar Sejdiu.

I gjithë ky kaos në QKUK listat e gjata të pritjes e mungesa a materialeve e barnave, sipas tij ka të bëjë me një menaxhim jo të duhur të Qendrës Klinike Universitare. /IndeksOnline/