17:37 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

OSBE sugjeron dialog mes federatave për ndeshjen e planifikuar në Graçanicë

Misioni i OSBE-së në Kosovë u ka bërë thirrje federatave të futbollit të Kosovës e Serbisë që të ulen dhe të zgjidhje për ta bërë të mundur zhvillimin e një ndeshjeje futbollistike mes klubit nga Beograd, “Crvena Zvezda” dhe atij të Graçanicës.

Ndeshja e cila ishte planifikuar të zhvillohej nesër, më 9 maj, është anuluar për shkak se Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka lejuar që ajo të zhvillohet.

Anulimi i ndeshjes nxiti mbrëmë reagimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Në deklaratën e djeshme, Misioni i OSBE-së tha se “duhet bërë të gjitha përpjekjet që ngjarjet sportive të mbahen, dhe që të ato të mos kenë parulla politikisht të ngarkuara, provokative apo ofenduese”.

“Rregullat e UEFA-së dhe asociacioneve tjera në këtë drejtim janë të qarta dhe do të duhej respektuar në plotësi. Misioni i OSBE-së në Kosovë i bën thirrje federatave përkatëse të futbollit që t’i kthehen dialogut dhe të gjejnë një mënyrë që kjo ndeshje e planifikuar të mbahet, duke marrë parasysh karakterin e saj humanitar dhe rëndësinë për komunitetin lokal”, thuhej në deklaratë.

Senad Sabovic, shef i Zyrës për Çështje Politike dhe Komunikim në Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka thënë për KALLXO.com se esenca e deklaratës së djeshme të Misionit të OSBE-së në Kosovë  ka qenë nevoja për të depolitizuar sportin.

“Në deklaratë, kjo porosi kryesore është dhënë duke marrë parasysh të gjitha anulimet e fundit të ngjarjeve sportive, përfshirë edhe ato në të cilat ekipet e Kosovës nuk janë lejuar të garojnë”, ka thënë Sabovic.

Sabovic ka thënë se OSBE kanë pasur një bisedë me FFK-në në lidhje me ndeshjen që ishte planifikuar të luhej në Garaçanicë mes ekipit të futbollit të Beogradit, Crvena Zvezdës dhe ekipit të Graçanicës.

“Po, ne kemi pasë një bisedë me FFK-në në lidhje me këtë temë. Ne gjithashtu kemi thënë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që ngjarjet sportive të mbahen pa sllogane politike, provokative apo ofenduese, dhe kemi sugjeruar dialog mes federatave që të gjendet një modalitet i këtillë për ndeshjen e planifikuar në Graçanicë”, ka theksuar Senad Sabovic.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka folur për KALLXO.com në lidhje me deklaratën e djeshme të OSBE-së, duke thënë se nuk do të lejojnë ardhjen e Crvena Zvezdës në Kosovë.

“Unë i kam tregu se qysh është rasti. Tri herë i kemi toleru edhe kemi dashtë me iu ndihmu. Herën e fundit na kanë premtu që s’do të ketë parulla dhe kjo ka ndodhë për të tretën herë me rend dhe ne s’mundemi me marrë përgjegjësi sepse njerëzit, mediat dhe institucionet janë të frustruara”, ka thënë Eroll Salihu.