18:37 / E Martë, 13 Qershor 2023 / MSH

Osmani dhe Sekretarja Burić flasin për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Strasburg ka takuar Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić.

Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut, si tri shtyllat themelore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës. Presidentja Osmani potencoi se Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës.

Presidentja Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ndërsa shprehu domosdoshmërinë për anëtarësimin e Kosovës, duke nënvizuar progresin që ka shënuar Kosova në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me konventa ndërkombëtare.

Presidentja ka thënë, më tutje, se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare, si dhe ka shprehur përkushtimin e plotë që të vazhdohet puna e përbashkët me shtete mike për ta avancuar tutje këtë proces.