75 Mall Live Search
21:01 / E Hënë, 15 Korrik 2024 / FR

Osmani, ekipit olimpik: Garoni me nder e luftoni për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar simbolikisht flamurin ekipin olimpik të Kosovës, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Të pranishëm në këtë ceremoni, që u mbajt në Amfiteatrin e Gërmisë, ishin dhe kryeministri Albin Kurti; presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi; ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier; ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, etj.

Presidentja Osmani ka porositur garuesit se në LO “Paris 2024”, nuk e përfaqësojnë vetëm veten e tyre dhe se suksesi i arritur nuk është vetëm arritje personale po arritje e vendit, raporton Ekonomia Online.

Ajo theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra paraqet kulmin e një pune të palodhur e shumëvjeçare të garuesve e trajnerëve të tyre.

“Ndërsa jemi në prag të Lojërave Olimpike, jemi bërë të gjithë bashkë për t’ua dorëzuar flamurin lojtarëve tanë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Lojërat Olimpike na tregojnë të përbashkëtat tona. Është një dëshmi dhe qëndrueshmëri e popullit tonë dhe e aftësisë për të qëndruar në këmbë populli ynë. Në zemër të Francës do të mblidhen më të mirët në këtë olimpiadë. Ju mbani me vete mbështetjen dhe admirim e secilit qytetar dhe në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Zemra e çdo qytetari do të rrah me të juajën”.

“Sot e dorëzoj flamurin e Kosovës me krenari dhe me shpresë plot. Garuesit të cilët na përfaqësojnë në këtë olimpiadë, suksesi i arritur nuk është vetëm arritje personale po arritje e vendit. Përpjekjet tuaja do të hapin rrugën për të tjerët për të ndjekur ëndrrat. Garoni me nder dhe jepni më të mirën tuaj dhe mbani mend që është një dëshmi e qëndrueshmërisë së krejt popullit”, u shpreh Osmani.

“Flamuri jonë përfaqëson shpirtin, forcën dhe unitetin e shtetit tonë të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve. Suksese e u kthefshi faqebardhë!”, u shpreh presidentja.