21:53 / E Diele, 02 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Osmani: Nga fillimi jam angazhuar për koalicionin LDK-VV, nuk ka asgjë që na ndalë

Nënkryetarja e LDK-së, njëherësh kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka deklaruar se krijimi i institucioneve asnjëherë nuk ka qenë punë e lehtë dhe një proces i thjeshtë.

Osmanaj tha se që nga fillimi është angazhuar pa asnjë interes personal që koalicioni LDK-VV, të bëhet realitet. Arsyeja sipas saj ishte e thjeshtë, sepse ky ishte vullneti qytetar.

Osmani deklaroi se ky ka qenë edhe obligim të cilin e ka marrë prej mbi 200 mijë votave që ka marrë LDK-ja në zgjedhjet e gjashtë tetorit, transmeton Indeksonline.

Nënkryetarja e LDK-së deklaroi se rrugë do të hasin në vështirës, me të cilat duhet të merren, kundër të cilave duhet të luftojnë, por që rrugë tjetër nuk ka, deri në fitore.

Osmani theksoi se nesër do të themelohen institucionet e reja, do të merren përgjegjësitë e reja dhe se nuk ka asgjë që i ndalë.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës

Krijimi i institucioneve asnjëherë nuk ka qenë një punë e lehtë dhe një proces i thjeshtë. Kjo komplikohet edhe më tepër kur krijimi i institucioneve nënkupton edhe ndryshim të epokave. Që nga fillimi jam angazhuar pa asnjë interes personal për të bërë realitet koalicionin LDK – LVV, për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ky ishte vullnet qytetar. Ky ka qënë edhe obligim të cilin e kam marrë prej mbi 200 mijë votave që i mori LDK në zgjedhjet e fundit. Kjo ishte një porosi e qartë për mua dhe për partinë që të ndryshojmë vendin. Marrëveshja që është nënshkruar sot në mes të kryetarit Mustafa dhe kryetarit të LVV’së Kurti ishte një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Ata ka muaj që po e pritnin një marrëveshje të tillë. Ngjarjet që rrjedhin jo gjithmonë janë pikërisht sic i kemi paramenduar. Por, sido që të jëtë, asnjë lindje nuk është e lehtë. Këtë e dimë më së miri ne që jemi nëna. Nuk është e lehtë as lindja e ndryshimit. Rrugës do të hasim në vështirësi, me të cilat duhet të merremi, kundër të cilave duhet të luftojmë. Sa më shumë që do të luftojmë ne aq më shumë do të hasim në rezistencë. Mirëpo rrugë tjetër nuk ka. Deri në fitore.

Qytetarët kërkuan dhe përcaktuan bashkimin tonë. Dhe si çdoherë, na treguan e trasuan rrugën e drejtë. 6 tetori, për mua, ishte dhe mbetet vullnet që nuk shkelet; me asnjë kusht e asnjë çmim. Shumë mund e përpjekje u bënë për të na ndalur e perqarë. Por shumë më i madh ishte vullneti ynë për të jetësuar kërkesën për ndryshim. Dhe tani, ua kemi borxh qytetarëve, e të gjithë atyre që nuk hoqën dorë nga besimi në ne, që fjalën e dhënë ta jetësojmë deri në fund. Nesër do t’i themelojmë institucionet e reja. Do t’i marrim përgjegjësitë e reja. Nuk ka asgjë që na ndalë.