16:49 / E Hënë, 26 Tetor 2020

Osmani nuk tregon se në cilën organizatë ndërkombëtare do të aplikojë për anëtarësim

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka treguar se në cilën organizatë ndërkombëtare do të aplikojë për anëtarësim institucioni që ajo udhëheq. Por, Osmani ka treguar që Kuvendi i Kosovës është në proces të vlerësimit se ku ka momentum për të aplikuar. Duke folur për këtë, Osmani ka thënë se Hoti dhe disa të tjerë në LDK nuk e kuptojnë parimin e ndarjes së pushteteve.

Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, Osmani dhe Hoti u përplasën rreth miratimit të qarkores së Qeverisë që të gjitha institucionet e Kosovës mos të aplikojnë në organizata ndërkombëtare, ku Osmani tha se e njëjta nuk vlen për legjislativin meqë deputetët nuk e kanë mandatuar Hotin për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington.

Osmani: Kuvendi është në proces të vlerësimit për aplikim në një organizatë ndërkombëtare.

“Si person që është marrë me fushën e politikës së jashtme që gati dy dekada mund t’ju them që nuk është, as veprim i mençur, as i duhur nëse unë paraprakisht e bëj publike se për çfarë organizate ndërkombëtare po bëjmë përgatitje sepse kjo vetëm do t’i mundësonte Serbisë angazhim maksimal që të parandalojë një veprim të tillë por ajo që e kam thënë atë ditë në Kuvend është që Kuvendi i Kosovës do të vlerësojë se ku është momentum më i mirë dhe ne tani jemi në proces të vlerësimit”, ka thënë Osmani.

Osmani tha se Kuvendi i Kosovës tashmë është pjesë disa organizatave ndërkombëtare parlamentare, por që ka të tjera në të cilat duhet bërë hapa përpara.

Lidhur me përgatitjet për aplikim, Osmani ka theksuar se në seancën e kaluar ka sqaruar edhe aspektin juridik e politik.

Osmani: Nuk ka rëndësi për mua çka thotë kryeministri dhe disa që thirren se janë në LDK

“E sqaron edhe aspektin juridik edhe politik edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare sa i përket kësaj çështjeje, se çka deklarojnë, qoftë persona të caktuar në LDK apo thirren se janë në LDK, qoftë kryeministri, fare nuk ka rëndësi për mua sepse po shihet qartë se nuk e kuptojnë këtë problematikë dhe mbi të gjitha nuk e kuptojnë parimin e ndarjes së pushteteve të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Këto deklarata Osmani i ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në të cilën është vendosur që më 29 tetor të mbahen dy seanca plenare.

Gjithashtu, javën tjetër po synohet që të ftohet në interpelanca kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti lidhur me çështjen e Liqenit të Ujmanit dhe trajtimin e temës së personave të pagjetur, në zotimet e 4 shtatorit në Uashington.

Këtë të enjte, në seancën e parë pritet votimi i pikave të rendit të ditës për të cilat nuk ka pasur kuorum në seancat paraprake, përfshirë rezolutat nga interpelancat e kryeministrit Hoti.

Ndërsa në seancën e re që pritet të nisë në orën 11:00, po ashtu këtë të enjte do të ketë debate parlamentare dhe pika të tjera, ndër të cilat do të diskutohet edhe për problemet e banorëve shqiptarë në veri të vendit.