09:57 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2024 / k.v

Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, ka udhëtuar për Tiranë për ta përfaqësuar Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore.

Në këtë Samit, Presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të  Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore.

Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore  për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Nga ky samit, parashihet t`i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën, si dhe të diskutohet ndihma konkrete e shteteve të EJL-së për Ukrainën.