12:00 / E Premte, 03 Maj 2024 / L K

Osmani: Roli i mediave ka qenë kyç, në mënyrë që institucionet e Kosovës të dëshmojnë para botës të vërtetën rreth sulmit të 24- shtatorit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për ditën botërore të lirisë së shtypit.

Osmani përmes një statusi ka thënë se mbështesin dhe inkurajojnë gazetarët ndaj angazhimit për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe sigurinë nga vendet ku raportojnë më mungesë sigurie.

Ajo tha se roli i mediave ka qenë kyç në mënyre që institucionet e Kosovës mund të dëshmojnë para botës të vërteten rreth sulmeve që kanë ndodhur në veri, përcjell IndeksOnline.

Postimi i plotë:

Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi.

Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente.

Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës.

Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar.