10:05 / E Premte, 03 Shkurt 2023 / L K

Osmani u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Islandës, Birgir Ármannsson

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimeve me presidentin dhe kryeministren e Islandës, është pritur në takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Islandës, Birgir Ármannsson.

Në takim me Kryetarin e Kuvendit Ármannsson, Osmani ka falënderuar Islandën për mbështetje ndaj Kosovës, duke potencuar rëndësinë që ajo të vazhdojë edhe më tej në arenën ndërkombëtare. Në këtë frymë, Presidentja ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellim të bashkëpunimit dypalësh përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke potencuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, në këtë kohë përcaktuese për Evropën.

Osmani dhe Kryetari i Kuvendit Ármannsson kanë biseduar edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Tutje, Osmani ka folur edhe mbi zhvillimet e fundit në Kosovë. Presidentja ka thënë se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe avancim të demokracisë, vlerësuar edhe në indekset e fundit ndërkombëtare, ku Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.

Presidentja e vendit theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Kryetari i Kuvendit Ármannsson e falënderoi Osmanin për vizitën dhe theksoi se Islanda është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona.